Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

27-07-2020

Takim me Grupin punues rreth fushës së Diskriminimit dhe Barazisë Gjinore

Më 27 Korrik 2020, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me UNDP, në funksion të hartimit të programit trajnues për vitin 2021 adekuat me nevojat trajnuese për fushën e diskriminimit, kanë realizuar takimin me grupin e parë punues të cilët vinin nga radhët e zyrës për qeverisje të mirë, zyrtarë nga institucioni i avokatit të popullit, shoqëria civile si dhe nga mediat.

Me rastin e këtij takimi u prezentua korniza ligjore vendore dhe ndërkombëtare në fushën e diskriminimit dhe sfidat dhe problemet praktike në zbatimin e këtij legjislacioni me theks të veçantë të Ligjit mbi diskriminimin dhe Ligjit për barazinë gjinore të Kosovës.

Gjatë diskutimeve u paraqiten problemet me të cilat ballafaqohen institucionet përkatëse në luftën kundër diskriminimit, sfidat e grupeve më të rrezikuara siç janë: fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, etj. Gjithashtu u diskutua edhe rreth lëshimeve dhe hapësirave në Ligjin për mbrojtjen nga Diskriminimi, për përputhjen e ligjit me direktivat e BE-së dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Një nga rekomandimet kryesore ishte që trajnimet në të ardhmen të kenë në fokus pjesën praktike të luftimit të diskriminimit, pra me raste praktike në terren, shqyrtimin e Konventës së Stambollit, si dhe rastet e riviktimizimit.

Takimet pritet të vazhdohen edhe me dy (2) grupe tjera punuese për të përfshirë përfaqësues të ministrive dhe komunave me fokus të zyrtarëve për barazi gjinore dhe zyrtarëve për të drejtat e njeriut si dhe me gjyqtarë, prokurorë dhe bashkëpunëtor profesional në mënyrë që të konsumohen të gjitha burimet e informacionit nga akterët të cilët merren me këtë fushë.

Shpërndaje :