Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

15-06-2021

Trajnimi i Trajnuesve – Lufta kundër dhunës ndaj Grave/Dhunës në Familje 2

Më 15 dhe 16 Qershor 2021, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë, është duke e realizuar Trajnimin e Trajnuesve me temë: “Lufta kundër Dhunës ndaj grave/dhunës në Familje 2”.

Ky trajnim vije si rezultat i trajnimit paraprak të realizuar me gjyqtarët dhe prokurorët të cilët merren me rastet e dhunës në familje.

Trajnimi i Trajnuesve i cili do të zgjasë 2 ditë ka për qëllim sensibilizimin e pjesëmarrësve për çështjet e dhunës ndaj grave/dhunës në familje si dhe përmirësimin e kapaciteteve të tyre në përgjigje më efektive ndaj këtyre rasteve, duke e pasur një qasje më të përqendruar tek viktima.

Gjatë trajnimit do të diskutohen çështjet e Konventës së Stambollit dhe sfidat në zbatimin e praktikave më të mira, ndikimi i stereotipave gjinore dhe miteve në reagimin e drejtësisë penale, kuptimi dhe ndikimi i viktimizimit etj.

Objektivat kryesore të Trajnimit janë:

  1. Të zhvillojë një kuptim më të mirë nga pjesëmarrësit për shkallën dhe natyrën e dhunës ndaj grave/dhunës në familje, dinamikën e një dhune të tillë, rrënjët, dhe konceptet e barazisë gjinore;
  2. Që pjesëmarrësit të njihen me standardet ndërkombëtare, veçanërisht me Konventën e Stambollit dhe Ligjet e Kosovës;
  3. Të përmirësohen njohuritë dhe aftësitë e pjesëmarrësve për të adoptuar një qasje të përqendruar tek viktima, duke siguruar mbrojtjen ndaj grave, fuqizimin e viktimës dhe duke mbajtur përgjegjës autorët e krimit.

Përfitues të Trajnimit janë: Zyrtarë policorë, udhëheqësit/et e strehimoreve në Kosovë, përfaqësues nga OJQ që merren me çështjet e dhunës në familje, përfaqësues nga Akademia e Drejtësisë, përfaqësues nga zyra e Ombudspersonit, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë.

Shpërndaje :