Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

05-05-2014

Trajnimi për kandidatët e PTF-së në Agjensionin Kadastral të Kosovës

Me 30 prill 2014, në kuadër të programit për kandidatët e gjeneratës së pestë të  PTF-së është realizuar një trajnim praktik në Agjensionin Kadastral të Kosovës.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte njohja me legjislacionin për kadastër dhe pronat si dhe udhëzimet administrative tjera për regjistrimin e pronës së paluajtshme dhe pronarët.

Me rastin e këtij trajnimi praktik kandidatët patën mundësinë e njoftimit lidhur me funksionimin e këtij agjensioni, perspektivat e kadastrit dhe administrimin e tokave në  Republikën e Kosovës, historikun e zhvillimit të gjeodezisë dhe kadastrit, bazën ligjore të AKK-së dhe çështje tjera që lidhen me librat e tokës, regjistrimin e pronave të paluajtshme dhe bazës grafike.

Trajnimi është zhvilluar në formë të debatit interaktiv ku vëmendje të veçantë iu kushtua  librave të tokës, regjistrave kadastral dhe dokumentacionit kadastral të komunave si dhe mënyrës së qasjes në këto dokumente.

Nga shpjegimet dhe informatat prej kryeshefit të Agjensionit Kadastral, drejtorit të drejtorisë së zyrës ligjore dhe zyrtarëve përgjegjës  të këtij institucioni u kuptua që regjistri kadastral është i digjitalizuar  dhe është i unifikuar me shtetet në rajon por që duhet ende punë meqë në disa komuna ende nuk është kompletuar dokumentacioni kadastral.

 

 

 

 

 

Shpërndaje :