Me 01–02 korrik 2014, IGJK në bashkëpunim me Amici dei Bambini ka organizuar trajnimin dy ditorë me temën “Mbrojtja e fëmijëve jashtë familjeve biologjike”.
Ky trajnim kishte për qëllim të ndihmojë krijimin e një bashkëpunimi të mirëfilltë në mes të gjyqësorit dhe Qendrave për Punë Sociale në mënyrë që vendimi që merret për mbrojtjen e fëmijëve të jetë sa më i drejtë si dhe t’iu mundësoj pjesëmarrësve njohjen me Konventat Ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve si dhe me legjislacionin vendor që rregullon këtë çështje.
Gjatë këtij trajnimi nga trajnues vendor dhe ndërkombëtar u trajtuan çështjet që kanë të bëjnë me rolin e të gjithë aktorëve në mbrojtje të fëmijëve jashtë familjes biologjike, në mënyrë që të gjinden alternativa si të zgjidhen më shpejtë rastet që presin për adoptim, me theks të veçantë për fëmijët që nuk e kanë statusin e zgjidhur, duke pasur parasysh rastet ende të pavendosura nga gjykatat për marrjen e të drejtës prindërore (aftësia e veprimit) sidomos tek fëmijët që i kanë prindërit me të meta psikike apo konteste te ngjashme. Gjithashtu nga psikiatri i fëmijëve janë trajtuar pasojat psikologjike për fëmijën të cilit ende nuk i është zgjidhur statusi, si dhe faktorët që ndikojnë në zhvillimin psiko-social të fëmijëve.
Një pjesë e këtij trajnimi iu dedikua edhe punës në grupe përmes shtjellimit të disa rasteve praktike, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të demonstrojnë njohuritë e tyre si dhe të shkëmbejnë përvojat me trajnuesit ndërkombëtar lidhur me krijimin e praktikave më të mira në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve jashtë familjes biologjike.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor nga regjione të ndryshme të Kosovës, një gjyqtar nga Gjykata e Apelit, zyrtarë nga QPS dhe përfaqësues nga UNICEF.
07-07-2014