Me 5 nëntor 2014, IGJK ka realizuar një takim të rregullt me Kryetarë të Gjykatave dhe Kryeprokurorë të Prokurorive të Shtetit.
Qellim i këtij takimi ishte diskutimi i draft programit të trajnimeve për gjyqtarë dhe prokurorë gjatë vitit 2015 dhe koordinimi rreth pjesëmarrjes në trajnime.
Në përgjithësi drafti i programit trajnues i propozuar nga IGJK u vlerësua nga pjesëmarrësit dhe u konstatua se është gjithëpërfshirës dhe pasqyron nevojat reale të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në kuptim të përcaktimit të prioriteteve u kërkua që temat që trajtojnë fushën e terrorizmit të përfshihen në gjysmën e parë të vitit 2015.
Kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët u zotuan për një rol më aktiv në koordinimin e pjesëmarrjes në trajnime. Në këtë aspekt, aplikimi në trajnime i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të diskutohet së bashku me kryetarët dhe kryeprokurorët me qellim të menaxhimit më të mirë të kohës. Për më tepër u kërkua që të gjitha trajnimet për gjyqtarë dhe prokurorë që organizohen nga institucione tjera të koordinohen me IGJK-në, në mënyrë që mos të organizohen trajnime me tema dhe objektiva të njëjta.
Pjesëmarrës ishin U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit, Kryetari i Gjykatës së Apelit, Kryeprokurori i Apelit, Kryetarë të Gjykatave Themelore dhe Kryeprokurorë të Prokurorive Themelore.
10-11-2014