Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

21-04-2022

Drejtori Ekzekutiv pret në takim shefin e Misionit të EULEX-it z. Lars-Gunnar Wigemark

Më 21 prill 2022, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, ka pritur në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX, z. Lars-Gunnar Wigemark.

Gjatë këtij takimi, dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar për nevojën e avancimit të bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta në funksion të forcimit të sundimi të ligjit në Republikën e Kosovës.

Fillimisht, z. Fejzullahu, e njoftoi shefin e EULEX-it me punën e Akademisë së Drejtësisë, për sfidat dhe objektivat e këtij institucioni, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në proceset e interesit të përbashkët mes EULEX-it dhe AD-së.

Nga ana tjetër, z. Wigemark, shprehu përkrahjen e tij për të vazhduar bashkëpunimin me Akademinë e Drejtësisë në ngritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe stafit të AD-së, duke ofruar resurset që ka EULEX-i, me qëllim të shkëmbimit të eksperiencave në fusha të ndryshme, me theks të veçantë lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës, komunikim me publikun si dhe tema të tjera me interes për përfituesit dhe stafin e AD-së.

Të dy bashkëbiseduesit më tutje u pajtuan për ta zhvilluar më tej bashkëpunimin ndër-institucional në fuqizimin dhe avancimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Shpërndaje :