Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me RIPA International, prej 02 deri më 04 mars 2015 ka realizuar trajnimin për gjyqtarët e fushës komerciale në Kosovë.
Ky trajnim u organizua me qëllim që të kontribuoj në identifikimin e fushave problematike, zhvillimin e praktikave më të mira, marrjen e vendimeve në mënyrë të strukturuar dhe menaxhimin sa më efikas të rasteve në praktikën gjyqësore komerciale në vend.
Gjatë këtij trajnimi u elaborua korniza ligjore vendore dhe mangësitë e saj me fokus të veçantë në Ligjin e Procedurës Kontestimore dhe zbatimi i tij në praktikë si dhe ngjashmëritë dhe dallimet e procedurës vendore me ato ndërkombëtare.
Problemet më thelbësore që u identifikuan ishin numri i madh i lëndëve të pa zgjidhura dhe ngarkesa e madhe me lëndë për secilin gjyqtarë që merret me këtë fushë, trajtimi i fakteve komplekse në një rast që zhvillohet dhe çështja e përkthimit të një numri shumë të madh të shkresave që shkakton një ngarkesë shtesë për gjykatën pasi që grumbullohen shumë shkresa që presin për përkthim.
Trajnuesit e angazhuar për këtë trajnim ishin ekspert nga Britania e Madhe dhe prezantuan përvojat dhe praktikat që zhvillohen në vendin e tyre.
Rastet studimore dhe detyrat për pjesëmarrësit ishin po ashtu pjesë përbërëse e rëndësishme këtij trajnimi.
Kjo ishte faza e parë e këtij trajnimi i cili do të ketë edhe dy faza tjera që do të zhvillohen .
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët civilist të Gjykatës Supreme, gjyqtarët e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë të Departamentit për Çështje Ekonomike.
04-03-2015