Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

10-03-2015

Pronësia dhe mbrojtja e saj

Më 10 mars 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka realizuar trajnimin e radhës për gjyqtarë të fushës civile me temë “Pronësia dhe mbrojtja e saj”.

Synime të këtij trajnimi ishin trajtimi i problemeve të trashëguara në lëmin e mbrojtjes së pronësisë dhe të ndihmojë gjyqtarët pjesëmarrës për zhvillimin e procedurës me profesionalizëm në zbatim të drejtë të legjislacionit që ka të bëjë me mbrojtjen e pronësisë.

Ky trajnim u fokusua në çështjet e ndryshimeve dhe reformave në legjislacionin përkatës dhe mbrojtjen e pronësisë si një e drejtë themelore e njeriut që mbrohet përveç me legjislacion vendor edhe me konventa ndërkombëtare me ç ‘rast u diskutua protokolli 1 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, i cili parasheh se çdo person fizik dhe juridik ka të drejtën e shfrytëzimit të pasurisë së vet.

Në këtë kuadër u trajtuan edhe kuptimi, kushtet dhe mënyrat e fitimit të pronësisë, autorizimet dhe kufizimet e pronarit, e drejta fqinjësore si një e drejtë e titullarit të paligjshmërisë dhe llojet e padive.

Trajnimi u zhvillua përmes prezantimeve të shkurtra, diskutimeve si dhe shembujve nga praktika gjyqësore ku pjesëmarrësit u angazhuan për zgjidhjen e rasteve dhe situatave juridike të cilat rëndom ndodhin praktikën gjyqësore lidhur me procedurat që zhvillohen pranë gjykatave.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e Gjykatës së Apelit dhe të gjykatave themelore.

Shpërndaje :