Më 12 mars 2015, IGJK në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme realizoi trajnimin me temë “Veprat penale kundër detyrës zyrtare”.
Ky trajnim kishte për qëllim elaborimin e veprave penale kundër detyrës zyrtare si: veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe korrupsioni zyrtar, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrja dhe dhënia e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit, përvetësimi dhe mashtrimi në detyrë, nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore si dhe shumë vepra tjera të këtij kapitulli. Gjithashtu gjatë trajnimit u trajtuan sfidat me të cilat gjyqtarët dhe prokurorët ballafaqohen në praktikë e që kanë të bëjnë kryesisht me kualifikimin e drejtë të këtyre veprave penale.
Në fokus të këtij trajnimi ishin elementet e përbashkëta të këtyre veprave penale, si çka nënkuptohet me detyrë zyrtare, kush mund të jetë person zyrtar, dashja si dhe qëllimi si element i veçantë konstitutiv i këtyre veprave penale.
Trajnimi u shoqërua me raste studimi nga praktika gjyqësore të cilat kishin për qëllim që të mbështesnin gjyqtarët dhe prokurorët në evitimin e problemeve të cilat shfaqen në praktikë.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor nga regjione të ndryshme të Kosovës.
12-03-2015