Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

18-03-2015

Procedura në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe kontrolli kushtetues

Më 18 mars 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme ka mbajtur trajnim për gjyqtarë me temë “Procedura në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe kontrolli kushtetues”.

Trajnimi kishte për synim të kontribuoj në avancimin e njohurive profesionale të pjesëmarrësve në dallimin e procedurës që zhvillohet pranë Gjykatës Kushtetuese nga ajo që zhvillohet në gjykatat e rregullta dhe në identifikimin e efekteve juridike të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese si vendime të detyrueshme për të gjithë.

Gjatë zhvillimit të këtij trajnimi u trajtua korniza legjislative vendore, në veçanti Ligji për Gjykatën Kushtetuese dhe rëndësia e tij në organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, procedurat për paraqitjen dhe shqyrtimin e kërkesave në Gjykatën Kushtetuese dhe palët e autorizuara si kategori të veçanta të institucioneve dhe personave që mund të iniciojnë procedurën në Gjykatën Kushtetuese si organ me autoritet të plotë për interpretimin e Kushtetutës dhe roli i tyre.

Harmonizimi i ligjeve me Kushtetutën dhe procedimi i lëndëve nga gjykatat e rregullta në Gjykatën Kushtetuese për jo kushtetutshmërinë apo mos përputhjen e ligjeve me kushtetutën ishin tema që po ashtu u diskutuan dhe trajtuan gjatë trajnimit.

Në këtë kuadër pjesëmarrësit patën rastin të diskutojnë për rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese, përbërjen e Gjykatës Kushtetuese si dhe kushtet e procedurat për emërim dhe shkarkim të gjyqtarëve.

Përfitues të këtij trajnimin ishin gjyqtarët e të gjitha niveleve dhe këshilltarë ligjor nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Shpërndaje :