Më 24 deri më 26 mars 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me RIPA International ka realizuar fazën e dytë të trajnimit për gjyqtarë të fushës komerciale në Kosovë.
Ky trajnim kishte për qëllim prezantimin e ideve për sistemin e menaxhimit të rasteve si dhe trajtimin e tyre në mënyrë të drejtë dhe efektive për të shmangur vonesat e panevojshme, trajtimin në mënyrë të drejtë dhe respektim të të drejtave për të gjitha palët.
Në ditën e parë ekspertët trajnimin e zhvilluan në gjykata ku diskutuan me gjyqtarët lidhur me sfidat dhe nevojat që ata kanë për tejkalimin e vështirësive që hasin në praktikën gjyqësore aktuale.
Në ditën e dytë dhe të tretë ekspertët u fokusuan në prezantimin e ideve para gjyqtarëve pjesëmarrës lidhur me eksplorimin e mënyrave të reja të punës, kategorizimin e rasteve, identifikimin e strategjive për zvogëlimin e rasteve të grumbulluara dhe aplikimi në praktikë i tyre.
Strukturimi i aktgjykimeve dhe dhënia e arsyetimeve, aplikimi i sanksioneve për palët që nuk i përmbahen urdhrave të gjykatës dhe vonojnë pa ndonjë arsye zhvillimin e mëtejmë të procedurës, udhëzimi dhe inkurajimi i palëve për zgjidhjen e kontestit të tyre qoftë në ndërmjetësim qoftë ndonjë formë tjetër, ishin po ashtu disa nga temat që u shtjelluan nga ekspertët e angazhuar për këtë trajnim.
Trajnimi në çdo fazë ishte interaktiv me çështje të ngritura për diskutim nga gjyqtarët pjesëmarrës me qëllim të ndarjes së praktikave të mira dhe zbatimi praktikë i tyre. Lidhur me këtë temë do të zhvillohet edhe faza e tretë e trajnimit.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë Departamenti për Çështje Ekonomike.
26-03-2015