Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

15-07-2022

Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi në mes të Akademisë së Drejtësisë dhe KGJK-së

Më 15 korrik 2022, Drejtori Ekzekutiv  i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për përmbushjen e përgjegjësive që dalin nga Strategjia për Sundim të Ligjit ndërmjet dy institucioneve.

Qëllimi i këtij Memorandumi është që të përcaktoj kushtet, fushëveprimin e punës dhe përgjegjësitë e palëve: në sferën e hartimit të programeve të trajnimit për anëtarët e komisioneve të vlerësimit të performancës të gjyqtarëve, për trajnimin e anëtarëve të komisioneve për rekrutimin e gjyqtarëve, trajnimet e detyrueshme që dalin si rezultat i mangësisë gjatë vlerësimit të performancës së gjyqtarëve, trajnimet e zyrtarëve të Njësisë së verifikimit të KGJK-së, përkthyesve-intepretëve të gjykatave, për vlerësimin e ndikimit të trajnimeve dhe garantimin e mekanizmave për koordinim në trajnimin e gjyqtarëve si dhe ndërlidhjen e data-bazave, shkëmbimin e informatave në mes KGJK-së dhe AD.

Drejtori Ekzekutiv i AD-së, ka thënë se institucioni që udhëheq ai do të angazhohet për të bërë zbatimin e trajnimeve për sistemin gjyqësor, në mënyrë që të bëhet ngritja e nevojshme e kapaciteteve të sistemit gjyqësor.

Nga ana tjetër, Kryesuesi Zogaj, ka thënë me këtë rast se ky memorandum do të fokusohet në shkëmbimin e informatave të ndërsjella për zbatimin e aktiviteteve për vlerësimin e nevojave, përcaktimin e politikave, zbatimin e programit dhe shkëmbimin e të dhënave lidhur me trajnimet.

Këshilli Gjyqësor dhe Akademia e Drejtësisë do të bëjnë në vazhdimësi shkëmbimin e informatave lidhur me të dhënat për pjesëmarrjen në trajnime dhe programe të tjera.

Shpërndaje :