Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

12-05-2015

Aksidentet në Komunikacion

Më 12 maj 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV-së realizoi trajnim për gjyqtarë me temë: “Aksidentet në Komunikacion”.

Synim i këtij trajnimi ishte kontributi në drejtim të thellimit të njohurive teorike dhe praktike tek gjyqtarët që ndërlidhen me paqartësitë tek veprat e kundërvajtjes nga lëmia  e komunikacionit dhe aplikimi i drejtë në procedurë i dispozitave ligjore me të cilat mbulohet kjo fushë.

Punimet në këtë trajnim fillimisht u fokusuan në trajtimin e kornizës ligjore vendore dhe sfidat praktike në zbatim të saj, identifikimin e veprimeve inkriminuese të kryerësit të aksidentit si dhe provat që duhet administruar për vërtetim të shkakut të aksidentit dhe vlerësimi i drejtë i këtyre provave, pasi që në praktikë është vërejtur në shumë raste hapja e procedurës ndaj të pafajshmëve të përfshirë në aksidentet në komunikacion.

Në këtë aspekt u elaboruan edhe faktorët e shkaktimit të aksidenteve me theks të veçantë u trajtuan shpejtësia e palejuar, ndërmarrja e veprimeve jo të drejta të kyçjes dhe ç’ kyqjes në komunikacion si dhe tejkalimi, anashkalimi dhe përballë- kalimi si arsye për shkaktim të aksidentit.

Në fazën e fundit të këtij trajnimi gjyqtarët pjesëmarrës u ndanë në grupe punuese dhe u angazhuan në përfundimin e detyrave praktike që i’ u parashtruan nga trajnuesit.

Gjyqtarët pjesëmarrës në këtë trajnim u angazhuan në çdo fazë të tij me diskutime dhe duke parashtruar pyetje dhe ngritur probleme me të cilat ata hasin në praktikën gjyqësore.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e divizionit të kundërvajtjes.

Shpërndaje :