Me përkrahjen e projektit “Mbështetje e Mëtejme e Reformës së Arsimit Ligjor në Kosovë” i financuar nga Bashkimi Evropian, është organizuar programi praktik i trajnimit (internhip), për gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Kosovës. Programi u realizua gjatë periudhës 6-24 korrik, në disa faza dhe i ndarë në katër (4) grupe.
Në javën e parë të programit të gjithë pjesëmarrësit kanë ndjekur një program të përbashkët trajnimi i kombinuar me takime dhe vizita në institucione si gjykata të ndryshme, Akademinë e Drejtësisë e Gjermanisë dhe Akademinë e të Drejtës Evropiane, ndërsa në javën e dytë pjesëmarrësit janë ndarë në grupe, 2 (dy) prej të cilave kanë vazhduar programin e trajnimit praktik për 1 (një) javë, ndërsa 2 (dy) grupe tjera kanë vazhduar programin për 2 (dy) javë tjera.
Ky program praktik i trajnimit kishte për qëllim ngritjen e bashkëpunimit në mes të institucioneve të gjyqësorit dhe prokurorisë së Republikës së Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës, fitimin e përvojave nga sistemi gjyqësor i Gjermanisë në ndërtimin e kapaciteteve të gjyqësorit, punën e gjykatave dhe prokurorive, sistemin gjyqësor, zbatimin e procedurave gjyqësore nga gjyqtarët dhe prokurorët si dhe ngritjen e bashkëpunimit në mes institucioneve trajnuese të dy vendeve me qëllim të avancimit të shkathtësive praktike të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gjatë javës së parë ku pjesëmarrësit ishin në një grup të përbashkët është realizuar një program trajnimi në fokus u trajtuan temat si; gjyqësori në Gjermani - strukturat dhe përgjegjësitë, përfshirë parimet e shtetit modern mbështetur në sundimin e ligjit, parimet e të drejtës procedurale (civile, penale dhe administrative), pavarësia e gjyqësorit, procedura e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, arsimimi ligjor dhe trajnimi i vazhdueshëm për gjyqtarë dhe prokurorë, administrimi i drejtësisë, profesionet ligjore përveç gjyqtarëve dhe prokurorëve (avokatet dhe noterët), portali i drejtësisë së gjykatave - shërbimet e informimit dhe shërbimet e tjera online, IT në gjykata, dosjet elektronike dhe qasja elektronike në drejtësi, bashkëpunimi me media dhe shumë çështje tjera që lidhen me sistemin gjyqësor në Gjermani.
Në kuadër të programit u realizua edhe një vizitë në Akademinë Gjermane të Drejtësisë (DRA). Delegacioni u prit nga Drejtori i Akademisë z. Stefan Tratz, i cili pasi që bëri një prezantim të strukturës, funksioneve dhe punës së Akademisë, prezantoi sistemin e edukimit të gjyqtarëve, procesin e vlerësimit të nevojave trajnuese, procedurën e hartimit të programit trajnues, sistemin e përzgjedhjes së trajnuesve dhe pjesëmarrësve, strukturën e programit ku potencoi rëndësinë që Akademi i kushton trajnimeve ndërdisplinore, vlerësimi i trajnimeve si dhe trajnimet nga distanca (e-learning) që realizohen për gjyqtarët dhe profesionistët tjerë gjyqësor në Gjermani.
Programi ka vazhduar me një vizitë në Akademinë e së Drejtës Evropiane (ERA), ku pjesëmarrësit kanë pasur rastin të njihen praktikisht me zhvillimin dhe realizimin e një trajnimi nëpërmjet sistemit e-learning. Ky trajnim kishte rëndësi të veçantë për faktin se pjesëmarrësit nga afër kishin rastin të shihnin se si zbatohet një trajnim nga distanca duke shfrytëzuar teknologjinë informative.
Ndërsa në javën e dytë grupi është ndarë në katër nëngrupe të cilët kanë realizuar programin në institucionet gjyqësore në Bonn, Köln, Heilbron, Stuttgart, Nuremberg dhe në Munchen.
Gjyqtarët dhe prokurorët kishin rastin të merrnin pjesë në seanca gjyqësore të zhvilluara në shkallë të parë dhe të dytë dhe atë në seanca nga procedura penale, procedura civile apo edhe procedura tjera të veçanta të cilat zbatoheshin nga gjykatat në të cilat ishte paraparë realizimi i programit.
Pjesëmarrës në këtë vizitë ishin; Gjyqtarë dhe prokurorë të të gjitha niveleve duke filluar nga Gjykata Supreme, Gjykata dhe Prokuroria e Apelit dhe gjykata e prokurori themelore. Pjesë e delegacionit ishin edhe një përfaqësues i projektit “Mbështetje e Mëtejme e Reformës së Arsimit Ligjor në Kosovë” që mbështeti organizimin e këtij programi dhe një përfaqësues i IGJK-së.
24-07-2015