Me 29 korrik 2015, IGJK ka nënshkruar marrëveshjen dy vjeçare të bashkëpunimit me GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) me qellim të strukturimit dhe përcaktimit të qartë të objektivave në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe programeve të IGJK-së.
Në fokus të këtij bashkëpunimi janë zhvillimi i mjeteve juridike në funksion të zhvillimit të gjyqësorit në vend si dhe ofrimi i të gjithë komentarëve, përmbledhjes së ligjeve dhe mjeteve tjera juridike që i ka zhvilluar GIZ deri më tani për bibliotekën elektronike të IGJK-së, realizimi i programeve të shkëmbimit, realizimi i trajnimeve për gjyqtarë e prokurorë dhe staf mbështetës të gjykatave dhe prokurorive, asistencë në ofrimin e trajnimeve nga IGJK për komunitetin jo shumicë në gjyqësor, avancim i metodologjisë trajnuese dhe zhvillim të programeve të IGJK-së.
Në fjalën e tij Drejtori i IGJK-së z. Lavdim Krasniqi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të GIZ për gjyqësorin në Kosovë e në veçanti në avancimin e programeve trajnuese të IGJK-së, publikime të ndryshme si dhe mbështetje për ngritjen profesionale të stafit të IGJK-së.
z. Malte Kirchner, menaxher i këtij projekti, potencoi rëndësinë që komentarët dhe mjetet tjera juridike të zhvilluara nga GIZ kanë për gjyqësorin dhe rolin e tyre në lehtësimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend. Në këtë kuadër z. Kirchner vlerësoi se IGJK është vendi më adekuat për posedimin e këtyre mjeteve juridike pasi që zotëron edhe infrastrukturën e nevojshme në ofrimin e tyre për komunitetin gjyqësor në vend.
Ishte konstatim i përbashkët se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, bashkëpunimi do të strukturohet më tej dhe se rezultatet do të jenë më të larta në arritjen e misionit për ngritje të kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.
30-07-2015