Më 06 korrik 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të trajnimeve në PTV, ka realizuar trajnimin për gjyqtarë dhe prokurorë me temë “Paraburgimi si masë për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve pjesëmarrës në implementimin e drejtë të dispozitave dhe kushteve ligjore lidhur me rrethanat në të cilat mund të vendoset, duke përfshirë dhe standardet e përcaktuara me KEDNJ, për aplikim të paraburgimit si masa më e rëndë që mund të përcaktohet për sigurinë e të pandehurit në procedurë gjyqësore.
Fillimisht në këtë trajnim u elaborua kërkesa për caktimin e paraburgimit nga ana e prokurorit, bazuar në nenin 5 të KEDNJ-së dhe arsyet që parasheh ky nen për caktimin e paraburgimit, dyshimi i bazuar dhe procesi i të provuarit të dyshimit të bazuar si baza kryesore për kërkesën dhe caktimin e paraburgimit. Në këtë aspekt u trajtua edhe propozimi për vazhdimin e paraburgimit, arsyetimi i kërkesës për vazhdim të kësaj mase dhe afatet kohore për paraburgimin.
Po ashtu gjatë këtij sesioni u shtjelluan edhe parimet e paraburgimit, kushtet e veçanta për caktim të paraburgimit, vendimi për caktimin e paraburgimit nga ana e gjyqtarit dhe arsyetimi i këtij vendimi.
Trajnimi u zhvillua përmes diskutimeve me pjesëmarrës, për rastet nga praktika gjyqësore vendore dhe sfidat që hasen në këtë fushë.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor.
06-07-2015