Më 18 dhjetor 2015, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me CLE-USAID ka realizuar trajnimin me temë “Biznesi, kreditë dhe institucionet financiare”, që hynë në kuadër të Programit të Specializuar të trajnimeve për të Drejtën Komerciale.
Ky trajnim synonte zgjerimin e njohurive të gjyqtarëve për sistemin dhe veprimtarinë e institucioneve financiare në Kosovë, në drejtim të trajtimit me sukses të çështjeve që ndërlidhen me kreditë dhe shërbimet bankare në Kosovë.
Fillimisht në këtë trajnim u elaborua sistemi bankar dhe korniza ligjore për shërbime bankare për kreditë, struktura e përgjithshme e sistemit bankar dhe rregullimi i bankave dhe institucioneve tjera kredituese nga Banka Qendrore. Gjithashtu u diskutua për subjektet kryesore në sistemin bankar, bizneset si kredi marrës dhe karakteristikat e kredive për bizneset, llojet e kredive, struktura e marrëveshjes për këto kredi dhe likuidimi e paaftësia për të paguar. Po ashtu shkurtimisht u trajtuan dhe Ligji për Hipotekat dhe Ligji për Shpëlarjen e Parave.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykata e Apelit - Departamenti për Çështje Ekonomike dhe gjyqtarët nga Gjykata Themelore Prishtinë - Departamenti për Çështje Administrative.
18-12-2015