Më 26 janar 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të Programit të Trajnimeve të Vazhdueshme (PTV), ka realizuar trajnimin me temë “Marrëveshja mbi pranimin e fajësisë”
Qëllimi i këtij trajnimi ishte elaborimi i mundësisë së arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë, hapat që duhet të ndërmerren nga palët në procedurë lidhur me fillimin e negociatave për arritjen e marrëveshjes, përshkrimi i veprimeve të të gjitha palëve në kuadër të negociatave për arritjen e marrëveshjes, përmbushja e kushteve ligjore që marrëveshja të pranohet nga gjykata, si dhe rolin e secilit organ shtetëror në arritjen e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë.
Fokusi kryesor i trajnimit ishte diskutimi për procedurat e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë. Po ashtu u trajtuan negocimi marrëveshjes për pranimin e fajësisë, rekomandimet për një dënim më të butë, por jo nën minimumin e përcaktuar me ligj, kufijtë deri ku lejohet të zbutet dënimi. Është analizuar edhe pozita e të dëmtuarit në procedurën e negocimit, mundësia e refuzimit të marrëveshjes nga prokurori i shtetit dhe i pandehuri. Gjithashtu janë paraqitur në mënyrë të thjeshtë veprimet procedurale në Gjykatë me rastin e shqyrtimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren edhe raste nga praktika me ç’ rast pjesëmarrësit patën rastin që të marrin praktikat më të mira në këtë drejtim.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e gjykatave themelore, si dhe prokurorët e prokurorive themelore.
26-01-2016