Me 05 prill 2016, u organizua ceremonia e fillimit të Projektit të Binjakëzimit, financuar nga BE “Mbështetje e mëtejme e reformës për arsimim ligjor në Kosovë”. Përfitues të projektit është Instituti Gjyqësor i Kosovës ndërsa shtetet partnere janë Gjermania dhe Holanda.
Synimi i projektit është të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë nëpërmjet përmirësimit të arsimimit ligjor, në veçanti me rritjen e kapaciteteve në sektorin e drejtësisë duke fuqizuar kapacitetet e Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Të pranishmëve në këtë ceremoni iu drejtuan z. Ymer Hoxha, kryetar i Këshillit Drejtues të IGJK-së, nga zyra e BE-së z. Christoff Stock dhe U.D. Drejtori i IGJK-së z. Besim Morina.
Z. Ymer Hoxha në fjalën e tij mes tjerash tha “ky Projekt i Binjakëzimit është shumë i rëndësishëm për IGJK-në, duke avancuar shërbimet e tij dhe njëherit duke ndihmuar në transformimin në Akademi të Drejtësisë që pritet të ndodh gjatë jetëgjatësisë së këtij Projekti.”
Në fjalën e tij, z Christoff Stock, potencoi faktin se “ky projekt është ndryshe për faktin se do të përqendrohet në specializimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit gjyqësor duke ofruar trajnime të përshtatura për nevojat e tyre në punën e përditshme. Duke prezantuar trajnimin e bazuar në kompetenca ky projekt binjakëzimit do të lehtësojë transformimin e IGJK-së në Akademi të Drejtësisë”.
z. Besim Morina theksoi se “me këtë projekt IGJK synon që të fuqizojë edhe më tutje rolin e tij, por edhe të përgatisë infrastrukturën e nevojshme për transformimin në Akademi të Drejtësisë, me qëllim që të vazhdoj mbështetja në zhvillimin e sistemit gjyqësor duke fuqizuar vlerat profesionale, pavarësinë, paanshmërinë dhe efikasitetin e punës së gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve tjerë në sistemin gjyqësor në Kosovë.
Projekti u prezantuan nga znj Christine Jacobi – Udhëheqëse e ekipit nga shteti partner i Gjermanisë ndërsa prezantimi në edukimin ligjor u bë nga Eric Vincken – Udhëheqësi i ekipit prej shtetit partner junior Holanda.
Rezultatet që priten nga projekti përqendrohen në fuqizimin e sistemit të trajnimit për gjyqtarë dhe prokurorë, duke përfshirë edhe kurrikula të reja për trajnim bazuar në kompetencat profesionale.
05-04-2016