Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

10-05-2016

Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2015

Me 10.05.2015, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit i Kuvendit të Republikës së Kosovës, shqyrtoi Raportin Vjetor të Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2015.

Në këtë takim U.D. Drejtori i Institutit Gjyqësor të Kosovës prezantoi në formë të përmbledhur aktivitetet e zhvilluara, të arriturat dhe sfidat e IGJK-së për vitin 2015 dhe në veçanti problemet ligjore të shfaqura pas ndryshimeve ligjore në ligjet e gjyqësorit.

Si çështje të theksuara U.D. Drejtori i IGJK-së paraqiti raportin lidhur me trajnimin e vazhdueshëm për gjyqtarë, prokurorë dhe stafin administrativ të gjykatave dhe prokurorive, trajnimin fillestar të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, programin për hulumtime dhe publikime përfshirë bibliotekën e IGJK-së, ngritjen e metodologjisë trajnuese etj. Me këtë rast Komisioni e vlerësoi raportin e IGJK të detajuar mirë, punën e bërë dhe gatishmërinë e IGJK-së për të mbështetur në procese të ndryshme ligjore deri më tani.

Nga anëtarët e Komisionit u kërkuan sqarime, sidomos lidhur me problemet ligjore, të theksuara në raport, kërkesat për trajnim nga institucionet tjera dhe numrin jo të madh të burimeve ligjore në gjuhën shqipe në kuadër të bibliotekës së IGJK-së. Për të gjitha pyetjet e adresuara nga anëtarët e Komisionit, u dhanë përgjigjet adekuate nga ana e U.D. Drejtorit të IGJK-së.

Po ashtu me 17.05.2015, Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka shqyrtuar raportin financiar të IGJK-së për vitin 2015. Në këtë takim  U.D.  Drejtori i IGJK-së, në formë të përmbledhur, prezantoi  buxhetin dhe shpenzimet e krijuara me rastin e realizimit të aktiviteteve të planifikuara për vitin 2015. Pas prezantimit nga ana e U.D. së Drejtorit, Komisioni theksoi se ky është një buxhet modest dhe raporti është i përgatitur në detaje, gjithashtu kërkoi informata shtesë nëse ka veprime konkrete për zgjidhjen e çështjes së objektit të IGJK-së. U.D. i Drejtorit të IGJK-së, njoftoi Komisionin për të gjitha veprimet që IGJK ka ndërmarr në këtë drejtim dhe që ende vazhdon përpjekjet për të zgjidhur çështjen e objektit.

Të dy Komisionet kanë përkrahur raportin vjetor 2015 dhe e kanë rekomanduar për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Shpërndaje :