Me datë 06 shtator 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV-së, realizoi trajnimin me temë ”Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve, bashkëpronësia dhe pjesëtimi”.
Trajnimi synonte që në tërësi të vlerësohet aspekti teorik dhe ai praktik, që ka të bëjë me çështjen pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve, bashkëpronësinë dhe pjesëtimin e kësaj pasurie, dhe në këtë formë të kontribuohet në drejtim të avancimit të njohurive dhe shkathtësive profesionale të gjyqtarëve pjesëmarrës me qëllim të unifikimit të standardeve juridike.
Në kuadër të këtij trajnimi janë shtjelluar natyra juridike e bashkëpronësisë dhe pronësisë së përbashkët, dallimet në mes këtyre dy formave të pronësisë dhe elementet specifike dalluese të këtyre instituteve. Me tej u trajtua pronësia e përbashkët e bashkëshortëve, pronësia e veçantë e tyre, administrimi i këtyre pasurive, detyrimet e përbashkëta të bashkëshortëve në lidhje me këtë pasuri, pjesëtimi i kësaj pasurie, si dhe legjislacioni i zbatueshëm cili e rregullon këtë çështje. Veçanërisht u trajtua procedura gjyqësore dhe autorizimet e gjykatës me rastin e vendosjes në lidhje me kërkesën e bashkëshortëve për pjesëtimin e pasurisë së përbashkët. Ndër të tjera janë elaboruar edhe kriteret në bazë të të cilave gjykata e bënë pjesëtimin e pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve sipas dispozitave ligjore të Ligjit mbi Familjen e Kosovës.
Trajnimi u zhvillua me diskutime interaktive në çdo fazë të tij nga gjyqtarët pjesëmarrës të cilët ngritën dilemat dhe paqartësitë rreth interpretimit dhe implementimit në procesin e vendimmarrjes nga gjykatat.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e gjykatave themelore dhe bashkëpunëtorët profesional në gjykata.
06-09-2016