Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

15-10-2016

Program i Specializuar Trajnimi për Zhvillimin e Kapaciteteve në Luftën kundër Korrupsionit Sesioni III

Më 14-15 tetor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në mbështetje të GIZ realizoi sesionin e tretë të trajnimit “Program i Specializuar Trajnimi për Zhvillimin e Kapaciteteve në Luftën kundër Korrupsionit”.

Trajnimi kishte për synim avancimin e njohurive të pjesëmarrësve në lidhje me përgatitjen e rastit penal nga ana e prokurorit për të dërguar dhe përfaqësuar në gjykatë, si dhe nga e gjyqtarit për të analizuar, përgatitur dhe udhëhequr shqyrtimin gjyqësor.

Në këtë sesion u elaborua mënyra e përgatitjes së materialeve lidhur me masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit për zbulimin e korrupsionit, llojet, kushtet, personat kompetent për të lëshuar këto masa, përmbajtja dhe kohëzgjatja e urdhrave për lëshim të masave si dhe ndihma e organeve tjera për zbatimin e këtyre masave, mënyra e dorëzimit të shkresave – raporteve tek palët lidhur me këto masa në procedurë.

Gjithashtu është diskutuar lidhur me personat që duhet të jenë të njoftuar nëse kanë qenë nën masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit si dhe për rastet kur ka dëshmitarë bashkëpunues dhe dëshmitarë të mbrojtur. Pjesë e trajnimit ka qenë edhe krahasimi i legjislacionit të BE-së me legjislacionin vendor si dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në luftimin e korrupsionit.

Trajnimi u zhvillua në formë interaktive, ku u diskutua rreth sfidave në praktikë dhe vështirësive që gjyqtarët dhe prokurorët hasin gjatë punës së tyre. Trajnimi u realizua me ndihmën e ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar.

Përfitues të këtij sesioni trajnues ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor nga regjione të ndryshme.

Shpërndaje :