Më 20 tetor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV-së, ka realizuar trajnimin me temë “Mjetet e jashtëzakonshme të goditjes së vendimeve”, në procedurën civile.
Trajnimi kishte për synim të jap sqarime lidhur me të drejtën dhe mundësinë e ushtrimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike të goditjes së vendimeve dhe çështjeve tjera konkrete të ndërlidhura me këto mjete si shkallë e fundit gjyqësore për palët në kontest civil.
Në kuadër të këtij trajnimi u shtjellua revizioni si mjet i jashtëzakonshëm juridik, revizioni kundër aktvendimit dhe aktgjykimit të shkallës së dytë, si dhe rastet kur lejohet apo nuk lejohet ushtrimi i revizionit. Më tej në formë të hollësishme u elaboruan edhe kërkesa për përsëritjen e procedurës, raporti midis revizionit dhe propozimit për përsëritje të procedurës, shkaqet në bazë të të cilave pala mund ta propozoj përsëritjen e procedurës si dhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë. Po ashtu u trajtuan llojet e vendimeve me rastin e vendosjes lidhur me këto mjete juridike.
Trajnimi u zhvillua në formë interaktive, me diskutime për çështje praktike lidhur me mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve nga gjykatat e shkallës së parë lidhur me disa mjete të jashtëzakonshme.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor si dhe bashkëpunëtor profesional të Gjykatës Supreme të Kosovës.
20-10-2016