Më 25 tetor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV-së, ka realizuar trajnimin me temë “Menaxhimi i Stresit”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte trajtimi i metodave dhe teknikave për tejkalimin e situatave stresuse që shfaqen në punë dhe gjatë punës.
Në këtë trajnim me interes ishin shpjegimet e metodave se si duhet të përmbahen të gjitha ndjenjat nën kontroll, si duhet kufizuar kërkesat e tepruara në një institucion, si të menaxhohet zemërimi dhe iritimi i paarsyeshëm. U shpjegua roli i kritikave dhe opinioneve negative, përballimi i situatave kur punët shkojnë keq, efekti i punëve dhe angazhimeve të padëshiruara, pasojat e mosshfrytëzimit të pushimeve ditore, si ndikon mungesa e prioriteteve lidhur me ngarkesën e punës, si reflektohet puna që është në diskrepancë me aftësitë e një punëtori dhe efekti i shfrytëzimit të produktit të punës nga të tjerët.
Me dobi ishin edhe trajtimi i shprehive, qasjeve dhe efekteve të tyre siç është braktisja e hobeve dhe interesimeve individuale, ngarkesave me shumë detyra në punë, vonesave në punë, veprimi në afate kohore të caktuara, mosadaptimi me ndryshimet që ndodhin, mos shprehja e ndjenjave të vërteta, efektet e zemërimit me njerëzit që janë të rëndësishëm për punëtorin, raporti i gjërave të këqija me gjërat e mira, përballja me punët nën presion dhe efekti i kohës për çlodhje.
Gjithanshëm u trajtuan dhe stresi, stresuesit, presioni, zhgënjimi, konflikti, përshtatja si përpjekje për përballimin e stresit dhe frustrimi si pengesë fizike, sociale e psikologjike, që individi mund t’i zotërojë me mundim të madh ose nuk mbërrin ta zotërojë për të arritur qëllimin, me të cilin përmbushë motivin e tij.
Janë shtjelluar edhe ndryshimet që pasojnë sjelljet e njeriut të frustruar e që janë ndryshime pozitive dhe ndryshime negative. Për ndryshimet pozitive – u potencua se ato kanë te bëjnë me të mësuarit e njeriut se pengesat në procesin e realizimit të qëllimeve të tij janë dukuri e rëndomtë dhe nuk është e thënë që këto pengesa të shpijnë në prapakthesë, në mossukses dhe në sjellje deprimuese. Ndërsa ndryshimet negative tek njeriu i frustruar rrjedhin nga gjendja e tij frustruese.
Përfitues të trajnimit ishin gjyqtarët e nivelit themelore dhe stafi i IGJK-së.
25-10-2016