Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

03-11-2016

Neni 8 i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe zbatimi i tij (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare)

Me 03 nëntor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në kuadër të PTV, ka realizuar trajnimin me temë “Neni 8 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe zbatimi i tij (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare)”.

Ky trajnim kishte për qëllim thellimin e njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me zbatimin e drejtë të dispozitave që përmban neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe efektet e tyre në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe mënyrat e zbatimit në praktikë nga gjykatat kombëtare.

Temat që u trajtuan ishin e drejta e respektimit të jetës private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së individit, u zbërthyen në detale nocionet jetë private, mbrojtje e jetës private, mbrojtje e shtëpisë, mbrojtje e korrespondencës, interes i sigurisë publike, mbrojtje e rendit publik, shëndeti-morali dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Gjatë trajnimit, dilemat dhe pyetjet u trajtuan përmes shpjegimit të pjesshëm teorik, duke përdor diskutime, raste dhe shembuj konkret, ushtrime, për të zbërthyer kuptimin e drejtë të dispozitave të nenit 8 të KEDNJ, lidhur me të drejtën në respektimin e jetës private dhe familjare dhe duke u mbështetur në jurisprudencën e GJEDNJ-së.

Përfitues të trajnimit ishin gjyqtarë të gjykatave themelore dhe bashkëpunëtor profesional.

Shpërndaje :