Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

18-11-2016

Procedura ku përfshihen kryerësit me çrregullime mendore dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore te këto raste

Më 18 nëntor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, ka realizuar trajnimin me temë “Procedura penale ku përfshihen kryerës me çrregullime mendore dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore te këto raste”.

Qëllimi i organizimit të këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive tek gjyqtarët dhe prokurorët, për zbatimin praktik të dispozitave lidhur me mbikëqyrjen e trajtimit të detyrueshëm, paraburgimin për personat me çrregullime mendore dhe çka e dallon atë si procedurë tek këto raste, llojet e trajtimit të detyrueshëm me ndalim në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, si dhe rrethanat e ndryshme lidhur me aftësinë e këtyre personave për t’iu nënshtruar gjykimit.

Me theks të veçantë u trajtuan zbatimi i ekzaminimit psikiatrik nga eksperti, qëllimi i këtij ekzaminimi dhe fazat e dhënies së urdhrit për ekzaminim psikiatrik, si dhe paraburgimi dhe kushtet e veçanta që duhet plotësuar për të përcaktuar paraburgimin ndaj personave me çrregullime mendore.

Trajnimi u zhvillua përmes diskutimeve të pjesëmarrësve lidhur me dilemat dhe vështirësitë në zbatim të legjislacionit në praktikën gjyqësore aktuale.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor nga regjione të ndryshme të Kosovës.

Shpërndaje :