Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

22-11-2016

Veprat penale kundër pasurisë

Më 22 nëntor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës, në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme, ka realizuar trajnimin me temë “Veprat penale kundër pasurisë”.

Trajnimi kishte për synim që përmes prezantimit të rasteve nga praktika gjyqësore dhe diskutimeve grupore, të ofrohen alternativa për problemet dhe vështirësitë praktike të zbatimit të procedurës te veprat penale kundër pasurisë.

Gjatë këtij trajnimi u shtjelluan në mënyrë të hollësishme dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës për veprat penale kundër pasurisë, me fokus të veçantë te disa vepra të cilat janë më të shfaqura në praktikë. Më tej u trajtuan aspektet e përgjithshme të këtyre veprave, format më të shpeshta të paraqitjes, motivet e kryerjes si dhe kualifikimet juridike të këtyre veprave, ku u potencua se ka vështirësi dhe dilema në praktikën gjyqësore aktuale sa ju përket veprave penale nga ky kapitull. Krahasimet me legjislacionet e disa vendeve nga regjioni, sa i përket trajtimit ligjor të këtyre veprave, ishin pjesë e këtij trajnimi.

Metodologjia e aplikuar në trajnim ishte e kombinuar me shpjegime teorike dhe qasje interaktive që ishin të përshtatshme dhe nxitën pjesëmarrësit të zhvillojnë debat dhe të paraqesin sfidat që kanë hasur me rastin e trajtimit të këtyre veprave penale.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor.

Shpërndaje :