Më 16 shkurt 2017, Instituti Gjyqësor i Kosovës, në kuadër të PTV-së realizoi trajnimin me temë “Mbrojtja gjyqësore në rastet e dhunës në familje”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte që pjesëmarrësve t’iu mundësoj njohjen me dhunën në familje, pasojat e dhunës në familje, kush mund të kërkojë lëshimin e urdhrit mbrojtës, procedurat gjyqësore për vendosje sipas kërkesës si dhe masat e kohëzgjatjes së tyre.
Gjatë këtij trajnimi nga pjesëmarrësit u paraqiten dilemat dhe paqartësitë rreth çështjeve për të cilat gjyqtarët kanë pengesa gjatë shqyrtimit të rasteve që kanë të bëjnë me procedurat standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje si dhe të zbatojnë në mënyrë precize dispozitat ligjore lidhur me procedurën dhe afatet për vendosje sipas kërkesave për urdhër mbrojtje.
Po ashtu u diskutuan procedurat për vendosje sipas kërkesave për urdhër mbrojtje, llojet e masave mbrojtëse dhe kohëzgjatja e tyre, ekzekutimi dhe pasojat e mos ekzekutimit të urdhrit për mbrojtje.
Trajnimi kishte për synim që përmes prezantimit të rasteve nga praktika gjyqësore dhe diskutimeve grupore, të ofrohen alternativa për problemet dhe vështirësitë praktike në lidhje me mbrojtjen gjyqësore në rastet e dhunës në familje.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e gjykatave themelore, si dhe bashkëpunëtorët profesional të gjykatave.
16-02-2017