Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

16-02-2017

Vizitë studimore në Republikën Federale të Gjermanisë

Një delegacion i përfaqësuesve të sistemit gjyqësor e prokurorial në Kosovë pjesë e të cilit ishin edhe Kryetari i Këshillit Drejtues të IGJK-së, Ymer Hoxha dhe Besim Morina, U.D. Drejtor i Institutit Gjyqësor të Kosovës, nga data 14 deri 16 shkurt kanë qëndruar për një vizitë studimore në Republikën Federale të Gjermanisë, në kuadër të aktiviteteve të projektit të Binjakëzimit në mbështetje të IGJK-së “Mbështetje e mëtejme reformës së arsimimit ligjor”.

Pjesëmarrës në këtë vizitë ishin edhe Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës,  Kryeprokurori i Shtetit, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial si dhe Këshilltari Rezident i Projektit të Binjakëzimit.

Në kuadër të kësaj vizite janë zhvilluar takime në Akademinë Federale të trajnimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në Akademinë e Drejtësisë për Rajonin e Berlinit dhe Brandenburgut si dhe në Ministrinë e Drejtësisë të këtyre rajoneve. Gjithashtu, janë realizuar takime në Zyrën e Kryeprokurorit dhe në Gjykatën e Apelit në Berlin ku diskutimi u fokusua në resurset njerëzore, në veçanti për rekrutimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte njohja nga afër e mënyrës së funksionimit të akademisë federale dhe regjionale për trajnime të prokurorëve dhe gjyqtarëve me qëllim të mbështetjes së procesit të transformimit të Institutit Gjyqësor të Kosovës në Akademi të Drejtësisë, proces ky i cili po përgatitet të realizohet sapo të hyjë në fuqi ligji i miratuar javë më parë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ndër temat kryesore të diskutimit në këto takime  ishin: provimet pranuese për kandidatët për prokurorë dhe gjyqtarë, trajnimi fillestar i kandidatëve për prokurorë dhe gjyqtarë, trajnimi i vazhdueshëm i prokurorëve, gjyqtarëve dhe personelit administrativ të gjykatave dhe prokurorive, përfshirë por pa u kufizuar në vlerësimin e nevojave për trajnime, përzgjedhjen e trajnuesve dhe metodologjinë trajnuese. 

Shpërndaje :