Më 08 shkurt 2023, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar, për gjyqtarët dhe prokurorët sapoemëruar të gjeneratës së nëntë, ka organizuar vizitë/trajnimin në Policinë e Kosovës, me trajnues: znj. Florie Hajra, drejtoreshë e departamentit të administratës, z. Fatos Haziri, drejtor në departamentin e trajnimeve, z. Riza Shillova drejtor në departamentin për hetime të krimit dhe Burim Sallahu drejtor në departamentin për bashkëpunim juridik.
Vizita në këtë institucion, kishte për qëllim që gjyqtarët dhe prokurorët e sapoemëruar të njoftohen me mandatin, rolin, strukturën organizative dhe punën praktike të Policisë së Kosovës. Në këtë vizitë gjyqtarët dhe prokurorët avancuan njohuritë e tyre rreth bazës ligjore dhe departamenteve të Policisë së Kosovës për krimin e organizuar dhe llojet e hetimeve financiare, bashkëpunimin ndërkombëtarë në fushën e zbatimit të ligjit që ka Kosova me shtetet e tjera, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e policisë e që ndërlidhen me punën e gjyqtarit. Duke u bazuar në faktin që puna e prokurorëve është e ndërlidhur në mënyrë direkte me punën e policisë, prokurorët e sapoemëruar patën rastin që të ngritin çështje me interes për punën e tyre praktike, ku një prej çështjeve me rëndësi ishte diskutimi lidhur me krimin kibernetik e po ashtu edhe atë të hetimeve të përbashkëta kufitare. Pjesëmarrësit po ashtu u njoftuan që në të ardhmen gjatë punës së tyre si do të kenë një bashkëpunimin të ngushtë dhe të mirëfilltë me Policinë e Kosovës.
Metodologjia e trajnimit vijoi në mënyrë të kombinuar atë të bashkëbisedimit dhe duke ilustruar raste praktike.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët dhe prokurorët e sapo emëruar (gjenerata e IX) 2022-2023.
08-02-2023