Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

22-02-2023

Programi i Trajnimit në Institucionet jo gjyqësore - vizitë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të sapo emëruar tek Avokati i Popullit

Më 22 shkurt 2023, në kuadër të trajnimit praktik me institucionet jo gjyqësore për gjyqtarët dhe prokuroret e sapo emëruar, Akademia e Drejtësisë ka realizuar vizitë në “Institucionin e Avokatit të Popullit”.

Në fjalën hyrëse avokati i popullit z. Naim Qelaj fillimisht ju uroi mirëseardhjen gjyqtarëve dhe prokurorëve të sapo emëruar, duke e cilësuar të duhur qëllimin e kësaj vizite dhe njëherit e vlerësoi lartë bashkëpunimin me Akademinë e Drejtësisë, për të vazhduar më pas diskutimin lidhur me mandatin, rolin dhe kompetencat e këtij institucioni në sigurimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellët në fushën e drejtësisë.

Përveç Avokatit Qelaj, si pjesë e panelit të diskutimeve ishin edhe znj. Suzana Gashi – Drejtoreshë e Departamentit për çështje juridike brenda IAP, z. Basri Kastrati – zv. Avokat i Popullit dhe z. Isa Hasani – Drejtor i Departamentit për pranimin dhe shqyrtimin e ankesave në IAP.

Ky program ka për qëllim t’iu ofroj gjyqtarëve dhe prokurorëve të sapoemëruar njohuri lidhur me procedurat e hetimit të ankesave në pretendimet e qytetarëve për shkelje të të drejtave të njeriut, e deri te përgatitja e rekomandimeve për rastet e tilla.

Gjithashtu u trajtua puna e mekanizmit kombëtar për parandalim të torturës raporte me rekomandime të dala nga trajtimi i ankesave dhe kërkesave dhe vizitave të rregullta dhe pa paralajmërim në të gjitha vendet ku mbahen personat e privuar nga liria. Po ashtu gjyqtaret dhe prokurorët u njoftuan edhe me pranimin dhe shqyrtimin e ankesave në IAP, relacioni në mes IAP-së dhe gjyqësorit, dhe procedurat e pranimit të ankesave dhe shqyrtimi i tyre nëse ankesat, kërkesat apo njoftimet e pranuara janë brenda kompetencave dhe përgjegjësive të IAP-së.

Çështje tjera që u trajtuan në këtë vizitë ishin edhe: Mandati i Avokatit të Popullit si organ i barazisë, mandati i Avokatit të Popullit si mekanizëm për parandalimin e torturës, si dhe mandati i Avokatit të Popullit në raport me gjykatat dhe prokurorit.

Përfitues të trajnimit janë Gjyqtarët dhe Prokurorët e sapo emëruar (gjenerata IX) ku një prej tyre është nga komuniteti boshnjak.

Shpërndaje :