Më 28 qershor 2017, në kuadër të vizitave në institucionet jo-gjyqësore, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar trajnimin me prokurorët e sapoemëruar në këtë institucion.
Ky trajnim, kishte për qëllim që prokurorët e sapoemëruar të avancojnë njohuritë e tyre rreth mandatit, rolit, strukturës dhe punës praktike të Policisë së Kosovës.
Fillimisht, u prezantua sistemi i edukimit në Policinë e Kosovës, mundësitë dhe programet e trajnimit që ofrohen për zyrtarët policor në nivele të ndryshme. Me tej u elaborua baza ligjore dhe struktura e Policisë së Kosovës, më saktësisht u prezantuan roli, kompetencat dhe veprimet hetimore të drejtorive si: Drejtorisë për hetimin e krimit të organizuar, Drejtorisë për trafikim me qenie njerëzore, Drejtorisë për mbështetje të hetimeve, dhe Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotikë. Po ashtu, në kuadër të elaborimit të funksioneve të Policisë së Kosovës, u trajtua edhe komponenta e Inteligjencës, dhe bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë.
Mbështetur në faktin që puna e prokurorëve është e ndërlidhur ngushtë me punën e Policisë, prokurorët e sapoemëruar kishin rastin që të ngritin çështje me interes për punën e tyre praktike, për bashkëpunimin aktual dhe formave adekuate të bashkëpunimit në të ardhmen mes Policisë dhe Prokurorive përkatëse.
Përfitues të këtij trajnimi ishin prokurorët e sapoemëruar të gjeneratës së VI të PTF-së.
28-06-2017