Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

27-02-2018

Trajnimet e realizuara në Programin Fillestar

Akademia e Drejtësisë, me qëllim të përmbushjes së prgramit trajnues, ka vazhduar me realizimin e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar, të cilin janë duke e vijuar 49 gjyqtarë të sapo emëruar.

Në kuadër të trajnimit teorik, janë zhvilluar aktivitetet si në vijim: nën-moduli “Procedurat e veçanta sipas KPPK” është realizuar përmes një (1) sesion trajnues në këtë periudhë, nën-moduli “Procedurat sipas mjeteve juridike” dy (2) sesione trajnuese, “Shpenzimet e procedurës dhe kërkesa pasurore juridike” një (1) sesion trajnimi, “Marrja dhe komunikimi i vendimeve dhe dërgimi i shkresave” një (1) sesion trajnimi. Gjithashtu, janë realizuar tre (3) sesione trajnimi nga nën-moduli “Shqyrtimi fillestar, i dytë dhe shqyrtimi gjyqësor” ku ndër të tjera janë trajtuar: kundërshtimi i provave, kërkesa për hedhjen e aktakuzës dhe shqyrtimi i dytë, përgatitja dhe rrjedha e shqyrtimit gjyqësor.

Në kuadër të programit trajnues, gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe pesë (5) sesione trajnuese nga nën-moduli “E drejta civile” ku janë elaboruar këto tema: Krijimi dhe mbarimi i raporteve juridike, ndarja e fakteve juridike dhe modifikimi i punëve juridike-kushti, afati posedimi, llojet, mbrojtja dhe shuarja e tij, të drejtat absolute dhe relative, përfaqësimi me prokurë (autorizimi), punët juridike të njëanshme dhe të dyanshme dhe punët juridike të pa vlefshme-nule. Ndërsa nga nën moduli “Procedura kontestimore – pjesa e parë” gjatë kësaj periudhe janë realizuar pesë (5) sesione trajnuese dhe janë trajtuar: parimet e procedurës kontestimore, kompetenca, përbërja e rregullt e gjykatës dhe përjashtimi i gjyqtarit, palët në procedurën kontestimore si dhe parashtresat dhe dërgimi i shkresave.

Gjatë muajit shkurt gjyqtarët e sapo emëruar në kuadër të trajnimit praktikë me institucionet jo gjyqësore kanë realizuar programe trajnimi në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil dhe Komisionin Rregullativ për Prokurimin Publik.

Ndërsa komponenta e trajnimit praktikë, për këtë periudhë është realizuar përmes vijimit të praktikës nga ana e gjyqtarëve të sapoemëruar në gjykata përkatëse, konform orarit të përcaktuar me program.

Shpërndaje :