Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

12-06-2018

Aktgjykimet dhe llojet e aktgjykimit sipas Ligjit për Procedurën Kontestimore

Më 12 qershor 2018, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, organizoj trajnimin me temë: “Aktgjykimet dhe llojet e aktgjykimit sipas Ligjit  për Procedurën Kontestimore”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me përmbajtjen, strukturën e aktgjykimit dhe llojet e tij.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan llojet e aktgjykimeve dhe kushtet për nxjerrjen e tyre, ndërsa në pjesën e dytë u vazhdua me trajtimin e përmbajtjes së aktgjykimit dhe rolin e secilit lloj të aktgjykimit.

Në trajnim u potencua se Ligji për Procedurën Kontestimore ka paraparë disa lloje të aktgjykimeve të cilat mund të nxjerrën nga gjykata, në rrethana të caktuara dhe në plotësimin e kushteve të veçanta procedurale. Vlerësimi i kushteve specifike për secilin lloj të aktgjykimit, nga ana e gjykatave, ka krijuar disa dilema të cilat po ndikojnë që në disa raste, gjykatat t’i vlerësojnë në mënyrë të gabuar, këto kushte e rrjedhimisht edhe të nxjerrin përfundime, përkatësisht aktgjykime me shkeljet e dispozitave të procedurës kontestimore.

Në trajnim u potencua se me aktgjykim gjykata vendosë për themelësinë e kërkesëpadisë e cila është objekt i gjykimit. Me rastin e vendosjes për çështjen kryesore, gjykata është e lidhur me kërkesën e palëve. Ajo nuk mund të vendosë për asgjë tjetër, përveç për atë që ka kërkuar pala. Gjykata me rastin e vendosjes meritore ka për detyrë që të vendosë për të gjitha kërkesat në mënyrë të plotë. Aktgjykimi përveç vendimit për çështjen kryesore përmban edhe vendimin për kërkesën aksesore.

Në vazhdim u veçua konstatimi se çështja e arsyetimit të vendimeve gjyqësore është trajtuar në kuadër të jurisprudencës kushtetuese, ku është konsideruar se e drejta për të pasur një vendim gjyqësor të arsyetuar është pjesë përbërëse dhe e pandarë e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së. Lidhur me arsyetimin e vendimeve edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ka potencuar në një nga vendimet e saj, se: “Arsyetimi i aktgjykimit është një përbërës kyç i gjykimit të drejtë dhe është esencial për ndarjen e drejtësisë dhe është treguesi më i mirë që dëshmon se gjykatat i kanë të bazuara thëniet në vendimet e tyre. Funksion i një vendimi të arsyetuar është t'u tregojë palëve që ato janë dëgjuar”.

Gjatë trajnimit pjesëmarrësit patën mundësi që përmes materialit të ofruar nga trajnuesit, diskutimeve, analizës së rasteve studimore, t’i zbërthejnë drejtë dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore lidhur me aktgjykimin dhe llojet e tij. Gjithashtu u përdoren edhe metoda e shpjegimit të pjesshëm teorik dhe raste nga praktika gjyqësore dhe mënyra të vendosjes meritore në raste konkrete.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore - departamentet e përgjithshme- divizioni civil.

Shpërndaje :