Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

28-02-2019

Aktivitetet e realizuara në kuadër të trajnimit fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar gjatë muajit Shkurt 2019

Në kuadër të programit të trajnimeve fillestare për gjyqtarët e sapo emëruar gjenerata gjashtë, edhe gjatë muajit shkurt ka vazhduar realizimi i aktiviteteve të planifikuara sipas plan programit të përcaktuar.

Në kuadër të trajnimit teorik janë realizuar gjithsejtë 16 sesione trajnuese nga modulet: Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Nga nën moduli  “Veprat penale të korrupsionit dhe kundër detyrës zyrtare” është realizuar një (1) sesion trajnues, ku  janë diskutuar çështjet e veprave penale të korrupsionit sipas Kodit Penal, keqpërdorimi i pozitës zyrtare, përvetësimi në detyrë, mashtrimi në detyrë, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, falsifikimi i dokumentit zyrtar, nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.

Gjithashtu nga nën moduli: I pandehuri në procedurën penale janë realizuar pesë (5) sesione trajnuese ku gjyqtarët e sapo emëruar kanë pasur mundësi të zgjerojnë njohurit e tyre rreth: kufizimit të drejtave të pandehurit gjatë procedurës penale, marrjes në pyetje e të pandehurit gjatë procedurës penale, pozitës së të pandehurit pas ngritjes së aktakuzës, i pandehuri gjatë procedurës për vlerësimin e ligjshmërisë së aktakuzës, gjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor, të drejtat e të pandehurit për ushtrimin e mjeteve juridike, i pandehuri gjatë procedurës për dhënien e urdhrit ndëshkimor, dhe i pandehuri gjatë procedurës për dhënien e ndihmës juridike ndërkombëtare.

Nga nën moduli: Dëshmitarët dhe të dëmtuarit në procedurën penale janë realizuar pesë (5) sesione trajnuese ku pjesëmarrësit patën rastin të diskutojnë dhe të fokusohen lidhur me marrjen dhe ruajtjen e të dhënave apo provave nga dëshmitarët, thirrjen dhe mosparaqitjen e dëshmitarëve, marrjes në pyetje, marrjes së deklaratës në procedurë paraprake dhe mundësia hetuese e veçantë, kushtet e përgjithshme për marrjen në pyetje në procedurë paraprake, si dhe marrjen e   deklaratës në procedurë paraprake ose mundësinë hetuese të veçantë. Po ashtu, gjatë ketyre sesioneve trajnuese janë trajtuar edhe procesverbali i veprimeve në procedurë penale, regjistrimi i seancave me incizim audio dhe me incizim audio dhe video, stenografimi me dorë apo me makinë dhe transkriptimi, ndalimi i parashtrimit të pyetjeve që mund të zbulojnë identitetin, dëshmitarët bashkëpunues, marrja e drejtpërdrejtë në pyetje, marrja e tërthortë në pyetje dhe rimarrja në pyetje e dëshmitarit, mosparaqitja e dëshmitarit apo ekspertit në shqyrtim gjyqësor, dhe masat për sigurimin e përkohshëm të kërkesës pasurore juridike të drejtuar kundër personave të tretë.

Gjithashtu nga nën moduli: Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë janë realizuar dy (2) sesione trajnuese dhe janë trajtuar këto çështje: Thirrja, urdhërarresti, premtimi i të pandehurit se nuk do ta braktise vendqëndrimin, ndalimi i të pandehurit pet t’iu afruar vendit të caktuar dhe personave të caktuar, obligimi i të pandehurit për paraqitjen më të afërt në stacionin policor dhe dorëzania.

Nga nën moduli: Administrimi i procedurës penale janë realizuar dy (2) sesione trajnuese ku gjyqtarët e sapo emëruar kanë avancuar njohurit e tyre rreth identifikimit të llojeve të vendimeve dhe komunikimit të tyre, dallimin e dorëzimit të rregullt dhe jo të rregullt të parashtresave, zbatimin e drejtë të afateve sipas KPPK-së, identifikimin e aktgjykimet-aktvendimet dhe urdhëresat e ekzekutueshme si dhe avancimin e njohurive lidhur me imunitetin sipas të drejtës ndërkombëtare.

Gjatë muajit shkurt 2019, nga nën moduli: Negocimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë është realizuar një (1) sesion trajnues dhe janë trajtuar këto çështje: Përkufizimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë, subjektet e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, inicimi i procedurës për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, si dhe roli i Prokurorit të Shtetit në negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 11 ditë trajnim praktik në gjykata konform orarit të përcaktuar. Trajnimin fillestar janë duke e ndjekur pesë (5) gjyqtarë të komunitetit serb.

Shpërndaje :