Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

26-03-2019

Parimet bazë të pronësisë

Më 26.03.2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve për profesionet e lira, me kërkesën e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në mbështetje të UNDP-së ka realizuar trajnimin e radhës dhe të fundit nga cikli i trajnimeve sipas programit për zyrtarët e ndihmës juridike falas temë: “Parimet bazë të pronësisë”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore të Ligjit për Pronësi dhe të Drejtat tjera Sendore dhe krijimi i praktikave më të mira në ofrimin e ndihmës juridike në rastet për vërtetimin e pronësisë, posedimin dhe pengim posedimin.

Me rastin e këtij trajnimi u trajtuan konceptet themelore të Ligjit për Pronësi dhe të Drejtat Sendore, me fokus te fitimi i pronësisë, mënyrat e fitimit të pronësisë, vërtetimi i pronësisë, posedimi dhe pengim posedimi. Vëmendje të veçantë kishte studimi i çështjes nga ofruesit e ndihmës juridike në rastet e tilla dhe përpilimi i kërkesave që u referohen këtyre çështjeve.

Gjatë trajnimit u diskutuan rastet më të shpeshta nga praktika gjyqësore si dhe rastet nga praktika e ANJF përmes të cilave u dhanë sqarime të nevojshme për mënyrën se si duhet vepruar që të jenë të realizueshme paditë për fitimin e pronësisë, vërtetimin e pronësisë dhe pengim posedimin.

Në pjesën e pasdites pjesëmarrësit patën rastin që edhe përmes punës në grupe dhe detyrave të identifikojnë elementet që duhet të përmbajë padia në kontestet pronësoro juridike, veçanërisht për pengim posedimin.

Përfitues në këtë trajnim ishin  zyrtarët e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nga gjitha regjionet e Kosovës. Pjesëmarrës në trajnim ishin edhe përfaqësues të OJQ-ve si CRPK, CLARD, NORMA, Femrat Aktive të Gjakovës, Institucioni i Avokatit të Popullit, si dhe Zyrtar të Zyrës për Mbrojtje të Viktimave .

Shpërndaje :