Më 10 maj 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së, ka realizuar trajnimin me temë “Barazia Gjinore në kontestet për të drejtën e trashëgimisë dhe në kontestet nga marrëdhënia e punës”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me barazinë gjinore në kontestet për të drejtën e trashëgimisë dhe në kontestet nga marrëdhënia e punës”
Në pjesën e parë të këtij trajnimi u trajtuan: Cenimi i pjesës së domosdoshme dhe procedura gjyqësore në rastet e cenimit, mos-deklarimi i trashëgimtarëve dhe procedura pas shpalljes së trashëgimisë, diskriminimi në të drejtën e trashëgimisë në forma tjera si cenimi për së gjalli apo edhe ndarja faktike, diskriminimit në punë dhe mënyra e shfaqjes së diskriminimit mbi baza gjinore. Ndërsa në pjesën e dytë të trajnimit u trajtuan: Mbrojta gjyqësore në rastet e diskriminimit mbi baza gjinore dhe hartimi dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore sipas specifikave të procedurës dhe rasteve.
Që në fillim u potencua se e drejta në pjesën e domosdoshme është një e drejtë e një personi fizik që sipas dispozitave të Ligjit për trashëgimi është i thirrur të trashëgoi por që është në kundërshtim me dëshirën-vullnetin e fundit të trashëgimlënësit me rastin e disponimit të pasurisë së tij pas vdekjes. Përmbajtja dhe lartësia e të drejtës në pjesën e pasurisë së domosdoshme është e përcaktuar me norma të karakterit imperative. Pjesa e domosdoshme nuk përcaktohet sipas detyrës zyrtare, por kjo përcaktohet dhe realizohet vetëm me kërkesën e trashëgimtarit që ka cilësinë e trashëgimtarit të domosdoshëm sipas ligjit.
Në këtë trajnim u potencua se aktvendimi i marrë në procedurën trashëgimore ka efektin deklarativ, dhe personi- trashëgimtari i ligjor ose legatar, nuk ka pengesë që të inicio kontestin kundër trashëgimtarit të shpallur si trashëgimtar testamentar apo ligjor për të kërkuar të drejtat nga pasuria trashëgimore, sikundër edhe personi që ka kërkesa materialo- juridike në pasurin trashëgimore të trashëgimlënësit e ka një të drejtë të tillë për të iniciuar kontestin civil. Trashëgimtaret të cilët nuk janë të përfshira në procedurën e trashëgimisë e kanë të drejtën për të inicuar kontestin civil me padi trashëgimore, kundër trashëgimtarëve ligjor të përfshirë në procedurën e trashëgimisë dhe kundër të cilëve janë shpalluar trashëgimtar.
Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të teorik, duke u bazuar në raste studimore dhe duke u shoqëruar me diskutime interaktive të lehtësuara nga trajnuesit, përmes analizës dhe shtjellimeve të tematikës, me fokus në zbatimin e barazisë gjinore në kontestet për të drejtën e trashëgimisë dhe në kontestet nga marrëdhënia e punës.
Përfitues ishin gjyqtarët e gjykatave themelore dhe bashkwpunëtorët profesioanl në Republikën e Kosovës.
10-05-2019