Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

30-04-2019

Aktivitetet e realizuara në kuadër të trajnimit fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar gjenerata e gjashtë gjatë muajit Prill 2019

Sipas programit trajnues në kuadër të trajnimit teorik gjyqtarët  e sapo emëruar gjenerata e gjashtë kanë realizuar gjithsejtë 18 sesione trajnuese nga modulet: Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës dhe Kodi Penal.

Nga nën moduli: “Provat në procedurën penale” janë realizuar gjashtë (6) sesione trajnuese, ku u diskutuan çështjet e provave dhe mjeteve provuese, klasifikimi i provave, i pandehuri, dëshmitarët dhe llojet e tyre, provat e papranueshme, marrja e provave nga ekspertët dhe kundërthëniet mes tyre.

Nga nën moduli: “Shqyrtimi fillestar, i dytë dhe shqyrtimi gjyqësor” janë realizuar gjashtë (6) sesione trajnuese ku u trajtuan: Caktimi i gjyqtarit për gjykimin e çështjes, kontrollimi i kompetencës dhe aktakuzës, procesverbali i shqyrtimit fillestar, çështja e mbrojtjes dhe provave, marrëveshja për pranimin e fajësisë, prishja e rendit dhe mosbindja ndaj urdhrave të gjykatës, kundërshtimet për hedhjen poshtë të aktakuzës, shqyrtimi gjyqësor dhe rrjedha e tij, fjala përfundimtare dhe seanca për këshillim dhe votim.

Nga nën moduli: “Parashkrimi” janë realizuar tri (3) sesione trajnuese dhe janë trajtuar këto çështje: kohëzgjatja e parashkrimit sipas Kodit Penal, ndërprerja dhe ndalja e parashkrimit sipas Kodit penal, parashkrimi absolut i ndjekjes penale, si dhe  parashkrimi i ekzekutimit të dënimit etj.

Nga nën moduli: “Procedura sipas mjeteve juridike” është realizuar një (1) sesion trajnues dhe gjyqtarët e sapo emëruar kanë pasur mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre rreth: Mjeteve të rregullta juridike dhe të jashtëzakonshme juridike, kërkesa për rishikim të procedurës, kërkesa për zbutjen e dënimit, si dhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Nga nën moduli: “Marrja dhe komunikimi i vendimeve dhe dërgimi i shkresave” është realizuar një (1) sesion trajnues, dhe fokusi ka qëndruar tek procedura për marrjen e vendimeve në seancë për këshillim dhe votim nga trupi gjykues, seanca e mbyllur për këshillim dhe votim, shkresat e doëzuara pas afatit,  dhe dorëzimi i shkresave nëpërmjet pjesëmarrësve të tjerë në procedurë.

Gjithashtu nga nën moduli: “Shpenzimet e procedurës dhe kërkesat pasurore juridike” është realizuar një (1) sesion trajnues dhe janë trajtuar këto çështje: Aktvendimi për shpenzimet e procedurës penale, pagimi i shpenzimeve sipas fajit te personit që i ka shkaktuar, shpërblimi dhe shpenzimet e nevojshme të mbrojtësit ose të përfaqësuesit të autorizuar, paraqitja e propozimit për realizimin e kërkesës pasurore juridike, masat për sigurimin e përkohshëm të dhe kërkesës pasurore juridike të drejtuar kundër personave të tretë.

Gjatë muajit Prill gjyqtarët e sapo emëruar kanë realizuar edhe një vizitë në Institucionin e “Doganës së Kosovës”.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 8 ditë trajnim praktik në gjykata konform orarit të përcaktuar. Trajnimin fillestar janë duke e ndjekur pesë (5) gjyqtarë të komunitetit serb.

Shpërndaje :