Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

11-05-2011

Deklaratë për shtyp

Instituti Gjyqësor i Kosovës/Kosovski Institut za Pravosudje/Kosovo Judicial Institute

DEKLARATË PËR SHTYP

FILLIMI I PROGRAMIT FILLESTAR PËR  ARSIMIM LIGJOR

PËR GJENERATËN E KATËRT TË KANDIDATËVE PËR GJYQTARË DHE PROKURORË

I themeluar nga OSBE-ja në vitin 2000 si sektor për trajnime gjyqësore, ndërsa si institucion i pavarur profesional dhe kryesor për aftësimin e bartësve dhe bartësve potencial të funksionit në gjyqësi i themeluar me ligj nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2006, Instituti Gjyqësor i Kosovës ka organizuar një numër të madh aktivitetesh lidhur me ngritjen profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe në përgatitjen e gjeneratave të reja për funksionin e gjyqtarit dhe prokurorit.

Në kuadër të Programit të Vazhdueshëm për Arsimim Ligjor nga janari 2000 deri në prill 2011, IGJK ka mbajtur rreth 800 sesione trajnuese në të cilat kanë marrë pjesë gjyqtarë, prokurorë, avokatë, policë, zyrtarë doganor dhe profesionist tjerë nga lëmi i drejtësisë, ndërsa në vitin 2010 ka filluar me zbatimin e Programit për Avancim, program ky, obligativ për gjyqtarët dhe prokurorët që avancohen në detyrë, si dhe shumë aktivitet tjera në fushën e hulumtimeve dhe publikimeve.

Në kuadër të Programit Fillestar për Arsimim Ligjor më 11 maj 2011, u organizua ceremonia me rastin e fillimit të trajnimeve për gjeneratën e katërt të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë. Më 12 maj 2011, do të filloj trajnimi i kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë të kësaj gjenerate. 53 kandidatë të gjeneratës së parë dhe të dytë janë emëruar si gjyqtarë apo prokurorë, ndërsa 32 kandidatë të gjeneratës së tretë janë ende duke ndjekur trajnimet në Institutitn Gjyqësor dhe periudhën praktike (mentorimin) në gjykata dhe prokurori.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga, e cila mbajti fjalë rasti.

“Rruga për të arritur deri këtu ka pasur shumë sfida të cilat bashkërisht i kemi tejkaluar”, deklaroj z. Lavdim Krasniqi , Drejtor i Institutit Gjyqësor të Kosovës në fjalën e rastit.

Ndërsa z. Fejzullah Hasani kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe kryetar i Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës tha “Përmes këtij programi trajnues është shënuar fillimi i një mënyre të re të rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët paraprakisht po përgatiten nga Instituti Gjyqësor dhe pas emërimit këta kandidatë do të jenë mbështetje e sistemit gjyqësor e prokurorial të Kosovës”.

z.Hajredin Kuçi zv. Kryeministër dhe Ministër i Drejtësisë theksoi se “Përderisa Ministria e Drejtësisë angazhohet çdo ditë që të krijojë një infrastrukturë ligjore sa më të përsosur për shoqërinë tonë, një pjesë e madhe e investimit të saj shkon në krijimin e mundësive sa më të mira që këto ligje të vihen në zbatim. Pikërisht në këtë pikë, përgjegjësia madhore u përcillet Gjykatave dhe juve si Gjyqtarë dhe Prokurorë të ardhshëm të këtij sistemi”

Në ceremoni foli edhe z. Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili theksoi se ”Vazhdimi i trajnimeve në këtë program trajnues është edhe një hap përpara në përpjekjet për rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe reduktimin e numrit të lëndëve sepse në fund të këtij programi me siguri se do të kemi kandidat më të përgatitur profesionalisht të gatshëm të ballafaqohen me rastet e shumta që i presin” dhe u zotua për bashkëpunim dhe mbështetje institucionale të IGJK-së.

z. Ismet Kabashi, Kryeprokuror i Shtetit dhe Kryetar i Këshillit Prokurorial në fjalën e rastit tha se “Organizimi i trajnimeve në Programin Fillestar për Arsimim Ligjor është edhe një hap drejt plotësimit të kritereve profesionale dhe ndjekjes së shembujve më të mirë të përgatitjes së prokurorëve të cilët aplikohen sot në vende të ndryshme të Evropës. Praktika e deritashme e këtij programi ka treguar se në fund të tij kemi kandidat më të përgatitur profesionalisht dhe të gatshëm të ballafaqohen me rastet praktike nga dita e parë e punës”.

z. Krasniqi vazhdoj “Që nga themelimi i tij nga OSBE-ja në vitin 2000, e sidomos pas nxjerrjes së ligjit nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2006, Instituti Gjyqësor si institucion i pavarur profesional, kishte për qëllim kryesor arsimimin ligjor të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por nga viti 2008 vëmendje e veçantë i ka kushtuar përgatitjes së kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm”.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të UNDP-së, USAID-it, OSBE-së, Zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë, EULEX-it, GIZ, UN WOMEN, si dhe përfaqësues tjerë të lartë të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore.

Për të shënuar simbolikisht fillimin e këtij programi, Presidentja e Republikës së Kosovës ia dorëzoj z. Avni Mehmeti, kandidatit i cili kishte arritur rezultatin më të lartë gjatë Provimit Përgatitor, modulet trajnuese që do të përdorën gjatë Programit Fillestar për Arsimim Ligjor, për vitin 2011.

Sesioni i parë trajnues për gjeneratën e katërt të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë do të filloj më 12 maj 2011. Pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit, kandidatët do të rekomandohen nga autoritetet përkatëse për emërim në postin e gjyqtarit apo prokurorit tek Presidenti i Republikës së Kosovës.

Për më shumë informata lidhur me fillimin e këtij programi, mund ta kontaktoni z.Lavdim Krasniqi , Drejtor i Institutit Gjyqësor të Kosovës, tel. 038 512 203.

Shpërndaje :