Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

19-06-2019

Masat e diversitetit

Më  19 qershor  2019, Akademia e Drejtësisë me mbështetjen e UNICEF-it, në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme ka realizuar trajnimin për gjyqtarë dhe prokurorë me temë: “Masat e diversitetit”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve në zbatimin e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, veçanërisht në definimin e kushteve dhe situatave specifike për shqiptimin e drejtë të masave të diversitetit

Gjatë këtij sesioni u trajtua legjislacioni vendor, me theks të veçantë Kodi i Drejtësisë për të Mitur, në të cilin u vunë në pah mangësitë dhe problemet në zbatimin praktik të masave të diverzitetit veçanërisht të masave të reja të cilat kanë hyrë në fuqi.  Në këtë kontekst u diskutua pëlqimi i të miturit për shqiptim të masës së diversitetit, prezenca e të miturit, prindit dhe mbrojtësit në seancë për shqiptim të masës së diversitetit, si dhe marrja e aktvendimit për shqiptimin e masave të diversitetit. Gjithashtu, vëmendje të veçantë iu kushtua vlerësimit të masave adekuate për situatat specifike dhe identifikimi se ndaj kujt dhe për çfarë vepra mund të shqiptohen masat.

Pjesëmarrësit patën rastin që përmes diskutimeve dhe rasteve nga praktika gjyqësore të identifikojnë dispozitat ligjore adekuate dhe të ofrojnë zgjidhjet e duhura ligjore.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë, prokurorë për të mitur të nivelit themelor.

Shpërndaje :