Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

24-07-2019

Vizitë/trajnim praktikë i gjyqtarëve dhe prokurorëve të shtetit të sapo emëruar në Policinë e Kosovës

Më 24 korrik 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar, për gjyqtarët, dhe prokurorët  sapoemëruar ka organizuar trajnimin praktik në Policinë e Kosovës.

Trajnimi në këtë institucion, kishte për qëllim që gjyqtarët dhe prokurorët e sapoemëruar të avancojnë njohuritë e tyre rreth mandatit, rolit, strukturës dhe punës praktike të Policisë së Kosovës.

Në këtë vizitë gjyqtarët dhe prokurorët e shtetit të sapo emëruar fillimisht u njoftuan me bazën ligjore dhe strukturën organizative të Policisë së Kosovës, rolin e saj, llojet e hetimeve, bashkëpunimin ndërkombëtarë në fushën e zbatimit të ligjit, ngritjen e kapaciteteve, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e Policisë e që ndërlidhen me punën e gjyqtarit dhe prokurorit.

Në fokus ishin rastet për narkotikët dhe substancat psikotrope, rastet e shumta që hasen sidomos gjatë kalimit të pikave kufitare, hetimi i trafikimit me qenie njerëzore, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar që ka Kosova me shtetet e tjera.

Duke u bazuar në faktin që puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve është e ndërlidhur ngushtë me punën e policisë, prokurorët, po ashtu edhe gjyqtarët e sapoemëruar kishin rastin që të ngritin çështje me interes për punën e tyre praktike, për bashkëpunimin aktual dhe formave adekuate të bashkëpunimit në të ardhmen mes policisë në njërën anë dhe gjykatave dhe prokurorive në anën tjetër.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e sapo emëruar (gjenerata e VII) dhe prokurorët e shtetit të sapoemëruar (gjenerata e VIII).

 

Shpërndaje :