Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

04-09-2019

Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar

Më 04 shtator 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me temë: “Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar” në kuadër të PTV-së.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me aplikimin dhe zbatimin e TVSH-së në Republikën e Kosovës dhe në rajon.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Aplikimi i TVSH-së në Republikën e Kosovës dhe në rajon - kushtet e regjistrimit për TVSH dhe normat e TVSH-së. Në pjesën e dytë u zbërthyen dispozitat ligjore që përmban Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar duke shpjeguar kriteret lidhur me ciklin e procesit të TVSH nga Dogana e deri te pagesa e konsumatorit të fundit, dhe praktikat e TVSH-së në vendet e rajonit. Po ashtu, u trajtuan raste të ndryshme nga praktika gjyqësore dhe praktika e vendeve tjera me të cilat Republika e Kosovës ka më shumë eksport-importe ku u shpjegua se si definohen të drejtat dhe obligimet e TVSH-së që paguhen në Doganën e Kosovës dhe në Administratën Tatimore të Kosovës.

Me rastin e trajtimit të kësaj materie u potencua se në praktikë shpeshherë ka probleme rreth çështjes së aplikimit të TVSH-së dhe në vlerësimin e tyre konform peshës së tyre si dhe dilema ligjore. Vëmendje të veçantë i ‘u kushtua  ndryshimeve të vazhdueshme në legjislacionin tatimor që ka të bëj me tatimin mbi vlerën e shtuar me qëllim të harmonizimit me Direktivat e BE-së, si në Ligji bazik 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat dhe Ligji 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Sa i përket kompetencës për vendosje u potencua se Divizioni Fiskal i Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë është përgjegjës për të gjykuar në shkallë të parë çdo vendim nga Departamenti i Ankesave në lidhje me taksat, detyrimet doganore dhe çdo kontribut tjetër të caktuar nga legjislacioni në fuqi. Juridiksioni i ankesave të Divizionit Fiskal, i mbulon tatimet dhe detyrimet si: tatimin mbi të ardhurat personale; tatimin mbi të ardhurat e korporatave; Ligjin e TVSH-së; detyrimet doganore; detyrimet e akcizës; tatimi mbi pronën e paluajtshme dhe çdo tatim ose kontribut tjetër të aplikuar në Kosovë.

Gjatë këtij trajnimi u përdoren metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik, duke u bazuar në raste nga praktika gjyqësore duke u shoqëruar me ushtrime, diskutime interaktive, materialit të ofruar nga trajnuesit, analizës së rasteve studimore si dhe duke zbërthyer dispozitat ligjore në fuqi që rregullojnë këtë lëmi.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit si dhe bashkëpunëtorët profesional të Departamentit për Çështje Administrative – Divizioni Fiskal dhe Departamentit Ekonomik.

Shpërndaje :