Më 30-31 tetor 2019, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me projektin e Organizatës Evropiane pёr Ligjin Publik ELPO, mbajti punëtorinë dy-ditore me temë: “Lufta kundër Trafikimit me qenie njerëzore”.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte ngritja e kapaciteteve profesionale të pjesëmarrësve në zbatim të drejtë të legjislacionit në fuqi dhe përforcimi i bashkëpunimit mes institucioneve tjera relevante për luftimin e suksesshëm të kësaj dukurie.
Gjatë kësaj punëtorie janë trajtuar aspektet ligjore të Trafikimit me qenie Njerëzore, të kuptuarit e viktimës si dhe perspektivat e viktimës. Me fokus të veçantë ishte mbrojtja e viktimës para dhe gjatë zhvillimit të procesit penal, mbështetja, rehabilitimi i viktimës dhe riintegrimi i saj në shoqëri. Me rastin e kësaj punëtorie përmes rasteve praktike u vu në pah se trafikimi me qenie njerëzore është dukuri e përhapur dhe më fitimprurëse e krimit të organizuar, duke arritur dimensione të njëjta me trafikimin e drogës dhe të armëve. Andaj, u kërkua që pjesëmarrësit të kuptojnë drejt elementet e veprës penale të trafikimit me qenie njerëzore dhe të njohin format e shfrytëzimit të viktimave të trafikimit me njerëz në mënyrë që të ketë rezultate në luftimin e këtyre veprave.
Përfitues të kësaj punëtorie ishin gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ gjyqësor dhe prokurorial nga gjitha regjionet e Kosovës.
31-10-2019