Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

31-10-2019

Aktivitetet e realizuara në kuadër të trajnimit fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar gjatë muajit tetor

Komponenta e trajnimit teorik për këtë periudhë, është përmbushur duke realizuar aktivitetet si në vijim: gjithsejtë 18 sesione trajnuese janë realizuar nga modulet: “Shkathtësitë personale dhe ndërdisiplinore”, “Rendi juridik kombëtar dhe ndërkombëtar”, “Legjislacioni dhe shkathtësitë plotësuese” dhe  Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

Në kuadër të nën modulit “Etika profesionale” janë realizuar katër (4) sesione trajnuese përkatësisht janë shtjelluar: Rregullorja për përcaktimin e sjelljeve të pahijshme, bashkëpunimi dhe koordinimi i gjykatave me institucionet tjera për raste të ndjeshme dhe detyrat dhe funksionet e Zyrës së Prokurorit Disiplinor (ZPD).

Nga nën-moduli “KEDNJ” janë realizuar dy (2) sesione trajnuese, synimi i të cilave qëndron tek zgjerimi i njohurive  të gjyqtarëve të sapo emëruar lidhur me Konventën Evropiane e të Drejtave të Njeriut të nenit 13 dhe nenit 14.

Gjatë muajit tetor nga nën moduli “Ndërmjetësimi” janë realizuar dy (2) sesione trajnuese ndër të cilat u trajtuan: Ndërmjetësimi në çështjet penale dhe rëndësia e ndërmjetësimit si dhe ndërmjetësimi në çështje civile.

Në këtë periudhë gjyqtarët e sapo emëruar kanë realizuar trajnimin nga nën moduli “E drejta e BE-së” katër (4)  sesione trajnuese, ku temë diskutimi kanë qenë: Struktura e Traktateve,  natyra e  kompetencave dhe parimet themelore të së Drejtës së Bashkimit Evropian si dhe Institucionet dhe burimet e së Drejtës së Bashkimit Evropian.

Gjithashtu nga nën-moduli “Krimet e rënda” është realizuar një sesion trajnues ku gjyqtarët e sapo emëruar patën rastin të përfitojnë njohuri të reja rreth trafikimit me qenie njerëzore, pastrimi parave dhe krimet kibernetike.  Ndërsa, nga nën moduli “Kodi i drejtësisë për të mitur” gjatë muajit tetor janë realizuar dy (2) sesione trajnuese ku janë trajtuar: përkufizimet që përdoren në Kodin e Drejtësisë për të Mitur dhe shqiptimi i masave dhe dënimeve madhorëve për veprat penale të kryera si të mitur.

Po ashtu nga nën moduli  “Arsyetimi i vendimeve gjyqësore” është realizuar një (1) sesion trajnues ku gjyqtarët patën rastin të njoftohen lidhur me rëndësinë e shkrimit ligjor.

Në kuadër të trajnimit praktik, për këtë periudhë është realizuar trajnimi përmes vijimit të praktikës nga ana e gjyqtarëve të sapoemëruar në gjykatat përkatëse, konform orarit të përcaktuar me program. Gjyqtarët e sapoemëruar, gjatë muajit tetor po ashtu kanë realizuar trajnimin praktik në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,  në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe në Agjencinë shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të cilët kanë pasur mundësi të diskutojnë për rolin, strukturën dhe problemet e shfaqura në praktikë.

Trajnimin fillestar janë duke e ndjekur 39 gjyqtarë të sapoemëruar, ku shtatë prej tyre janë nga komuniteti serb.

Shpërndaje :