Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

20-05-2020

Ndërmjetësimi, në aspektin Civil, Penal dhe Ekonomik

Më 20 – 21 maj 2020, Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme në bashkëpunim me Programin e USAID – Drejtësia Komerciale, implementuar nga CHECCHI and COMPANY janë duke e  realizuar trajnimin me temë “Ndërmjetësimi, në aspektin Civil, Penal dhe Ekonomik”- Regjion – Gjakovë dhe Prizren.

Trajnues të angazhuar në këtë trajnim janë: znj. Makifete Saliuka - Zv-Kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Besim Kelmendi – Prokuror në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe z.Yll Zekaj – Ndërmjetësues.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me risitë që ka sjellë Ligji nr.06/-009 për Ndërmjetësimin, si dhe identifikimin më të lehtë të lëndëve të përshtatshme për tu referuar në procedurën e ndërmjetësimit.

Ne fokus te këtij trajnimi është referimi i lëndëve në procedurën e ndërmjetësimit që është në diskrecionin e gjyqtarëve duke mos anashkaluar vullnetin e palëve në kontest dhe në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore. Ky trajnim shërben si orientim për gjyqtarët dhe stafin tjetër të gjykatave dhe prokurorive për identifikimin më të lehtë të kontesteve të përshtatshme për tu zhvilluar në procedurë të ndërmjetësimit, si dhe lëndët e tjera për të cilat parashihet ndërmjetësimi i detyrueshëm.

Gjatë këtij trajnimi janë duke u elaboruar: parimet e ndërmjetësimit, inicimi i procedurës së ndërmjetësimit, ndërmjetësimi i detyrueshëm, procedura dhe obligimet e gjyqtarëve, zhvillimi i procedurës së ndërmjetësimit, marrëveshja e ndërmjetësimit dhe efektet e saj, të drejtat dhe detyrimet e palëve në procedurën e ndërmjetësimit. Metodologjia e zbatuar ishte e karakterit të kombinuar, me shpjegime teorike dhe diskutime interaktive.

Përfitues të këtyre trajnimeve ishin: Gjyqtarë, prokurorë, bashkëpunëtor profesional dhe ndërmjetësues nga regjioni i Gjakovës dhe Prizrenit.

Shpërndaje :