Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

10-12-2020

Akademia e Drejtësisë merr pjesë në ndarjen e çmimeve për praktikën më të mirë në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

10 Dhjetor 2020, Akademia e Drejtësisë mori pjesë në ceremoninë për ndarjen e çmimeve “Praktika më e mirë në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, që u organizua në formë të uebinarit nga Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) në  bashkëpunim  me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE).

Në këtë ceremoni, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme, u theksua rëndësia e përdorimit të gjuhëve zyrtare nga ana e institucioneve pasi që paraqet respektimin e të të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe qasjen e barabartë në shërbimet që ofrohen nga institucionet.

Të pranishmëve ju drejtuan Komisioneri për Gjuhët z. Slaviša Mladenović, dhe Ambasadori I Misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Jaan Brathu.

Ndarja e çmimit, siç u tha në ceremoni, u bë në bazë të monitorimit të përdorimit të gjuhëve zyrtare në ueb faqet zyrtare të ministrive, organeve ekzekutive dhe agjencive duke përfshirë edhe rrjetet sociale të institucioneve përkatëse.

Çmimin e parë këtë vit Komisioneri për gjuhët e ndau për institucionet si, Ministria e Financave, Komuna e Prishtinës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Kushtetuese dhe Banka Qendrore e Kosovës.

Në mesin e institucioneve tjera që kanë treguar performancë të mirë në zbatimin e ligjit për gjuhët zyrtare radhitet edhe Akademia e Drejtësisë, e cila do të pranojë mirënjohje dhe pajisje të vogla si kufje përkthimit dhe usb.

Gjatë ceremonisë, me një fjalë rasti para të pranishmëve kanë folur edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti, përfaqësues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, zv. Ministrja e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, znj. Magbule Shkodra, përfaqësues nga Auditori Gjeneral, Ombudspersoni dhe të tjerë.

Nga të gjithë të pranishmit dhe fituesit e shpërblimeve u potencua se ky çmim tregon përkushtimin e gjithë stafit për të respektuar detyrimet kushtetuese e ligjore dhe se ky çmim do të jetë edhe një shtytje për të punuar në vazhdimësi drejt avancimit dhe barazisë në respektimin e të drejtave gjuhësore dhe lirive në përgjithësi.

Shpërndaje :