Prishtinë, 12 shkurt 2021 – Akademia e Drejtësisë, të enjten, me 18 shkurt, do të mbajë ceremoni me rastin e fillimit të Programit të Trajnimit Fillestar për 23 gjyqtarët e sapoemëruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të cilët u dekretuan në fund të janarit, nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, znj. Vjosa Osmani.
Gjatë ceremonisë, me fjalë rasti para gjyqtarëve të rinj do të paraqiten, z. Enver Peci, kryetari i Gjykatës Supreme, njëherësh kryesuesi i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, z. Philip S. Kosnett, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Tomas Szunyog, ambasador, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Skender Çoçaj – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe z. Enver Fejzullahu, drejtor i Akademisë së Drejtësisë.
Të ftuar në këtë ceremoni, përveç gjyqtarëve të sapoemëruar, do të jenë edhe kryetarët e gjykatave të vendit. Për Akademinë e Drejtësisë, gjyqtarët e sapoemëruar përbëjnë gjeneratën e VIII-të të gjyqtarëve në trajnimin fillestar, i cili, siç parashihet me ligj, do të zgjas 12 muaj.
12-02-2021