Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

16-03-2021

Konferenca e fillimit të kursit HELP në internet mbi Dhunën ndaj Grave dhe Dhunën në Familje, e nisur për Studentët e Drejtësisë

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i luftës ndaj dhunës kundër grave dhe dhunës në familje – faza 2”, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, lancoi Kursin HELP lidhur me Dhunën kundër grave dhe Dhunën në Familje, për studentët e Fakultetit të Drejtësisë – Universiteti i Prishtinës.

Konferenca u hap nga znj. Merita Limani, Menaxhere e Projektit – Këshilli i Evropës, ndërsa fjalën e rastit e patën z. Frank Power, Udhëheqës i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, znj. Luljeta Plakolli-Kasumi, Prodekane e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, z. Enver Fejzullahu, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë. Një pasqyrë për Programin HELP të Këshillit të Evropës u paraqit nga znj. Eva Pastrana dhe znj. Valentina Boz nga Njësia HELP e Këshillit të Evropës.

Pjesëmarrësit po ashtu përfituan nga prezantimi i standardeve Evropiane në fushën e dhunës mbi bazën gjinore dhe dhunës në familje nga znj. Anca Ciupa, Këshilltare e KE dhe anëtare e Rrjetit WAVE, si dhe nga prezantimi lidhur me legjislacionin dhe praktikat vendore nga z. Faton Ademi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Kursi i HELP lidhur me Dhunën kundër grave dhe dhunën në familje, synon ofrimin e trajnimeve të cilësisë së lartë të cilat do t’ju mundësojnë profesionistëve ligjorë që ti përgjigjën më shumë nevojave të viktimave të dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, duke i përdorur standardet e rëndësishme të Konventës së Stambollit në kuadër të juridiksioneve nacionale dhe praktikave të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Këto kurse inkorporojnë kornizën ligjore vendore kundër dhunës në familje dhe do të ofrohet në gjuhët lokale zyrtare.

Gjithsej 28 studentë të drejtësisë në Nivelin Master të Studimeve do të marrin pjesë në kursin e HELP që do të realizohet online. Ata do t’i ndjekin shtate module online me mbështetje praktike dhe udhëzime të trajnueses vendore znj. Arberita Kryeziu.

Kursi i HELP-it lidhur me Dhunën kundër grave dhe Dhunën në Familje, përbëhet nga modulet tematike si në vijim:

1. Kuptimi i dhunës kundër grave dhe dhunës në familje
2. Korniza ligjore ndërkombëtare dhe Evropiane
3. Tejkalimi i barrierave/ qasja në Drejtësi
4. Reagimi i Drejtësisë Penale I – Hetimi dhe faza paraprake
5. Reagimi i Drejtësisë Penale II – Gjykimi dhe dënimi
6. Reagimi i Drejtësisë Civile
7. Zgjidhja alternative e kontesteve

Kursi i HELP lidhur me Dhunën kundër Grave dhe Dhunën në Familje aktualisht është në dispozicion në Platformën online të HELP  në gjuhët Shqipe, Armene, Boshnjake, Angleze, Gjeorgjiane, Maqedonase, Malazeze, Ruse, Polake, Sllovene, Serbe dhe Ukrainase.

Shpërndaje :