Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

24-06-2013

Aksidentet në Komunikacionin Rrugor

Më 24 qershor 2013, IGJK ka realizuar një trajnim një ditor për gjyqtarët nga divizioni i kundërvajtjes me temë: Aksidentet në Komunikacionin Rrugor.Qëllimi i këtij trajnimi ishte krijimi i praktikave më të mira në drejtim të zbatimit të drejtë të dispozitave të Ligjit për Komunikacionin Rrugor. 

Gjatë këtij trajnimi u trajtua dhe u diskutua për aksidentet në komunikacionin rrugor, anashkalimin si shkak të aksidentit, ndëshkueshmërinë si dhe aplikimi i drejtë i nenit 352 të Ligjit për Komunikacionin Rrugor. 
Me rastin e trajtimit të Ligjit për Siguri në Komunikacionin Rrugor u vunë në pah edhe mangësitë e tij, sidomos mos harmonizimi i këtij ligji me Ligjin mbi Kundërvajtjet dhe direktivat e Bashkimit Evropian, gabimet terminologjike, mos harmonizimi i ndëshkimeve në raport me rrezikshmërinë e kundërvajtjes së kryer si dhe mungesa e shumë masave e ndëshkuese për kundërvajtjet e parapara me ligj.
Nga pjesëmarrësit e trajnimit u kërkuan sqarime sa i përket kërkesës për fillimin e procedurës në raste kur kërkesa paraqitet për një person ndërkaq kontribues në shkaktimin e aksidentit me një përqindje të caktuar janë edhe të tjerët. Për këto dhe dilemat tjera trajnuesit ofruan rekomandimet dhe zgjidhjet e tyre. 
Në pjesën e pasdites gjyqtarët pjesëmarrës të ndarë në grupe patën rastin që përmes ushtrimit praktik të demonstrojnë njohuritë e tyre në nxjerrjen e aktvendimit  me masën apo sanksionin penal ndaj kryesit të kundërvajtjes sipas Ligjit për Siguri në Komunikacionin Rrugor. 
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e divizionit të kundërvajtjes nga gjitha Gjykatat Themelore të Kosovës.

Shpërndaje :