Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

10-09-2013

Program Trajnimi për Kryetarët e Gjykatave dhe Kryeprokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës (09-14 shtator, Turqi)

Në kuadër të bashkëpunimit institucional në mes të Instituti Gjyqësor të Kosovës dhe Akademisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë, një delegacion në përbërje të Kryetarëve të Gjykatave, Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës duke përfshirë Kryetarin e Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorin e Shtetit dhe përfaqësues të lartë të IGJK-së nga data 09 deri 14 shtator 2013 kanë realizuar një program trajnimi në institucionet e sistemit të drejtësisë në Turqi, në fokus të të cilit është menaxhimi.

Qëllimi i këtij programi ka qenë që pjesëmarrësit të njihen me përvojat e menaxhimit të gjykatave, prokurorive dhe institucioneve tjera të drejtësisë të Republikës së Turqisë lidhur me menaxhimin e institucioneve që ata drejtojnë dhe mundësitë e bartjes së përvojave në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij programi pjesëmarrësit u pritën nga udhëheqësit e Gjykatës Kushtetuese, Akademisë së Drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Presidenca e Gjykatës së Kasacionit, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Gjykatës së Kasacionit, Qendra Kombëtare e Sistemit Informativ të Drejtësisë si dhe institucione tjera të Republikës së Turqisë.

Në të gjitha këto takime u shpreh nevoja për intensifikim e bashkëpunimit ndërinstitucional si dhe u shfaq gatishmëria e përfaqësuesve të Republikës së Turqisë për mbështetje të vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve, kandidatëve për këto funksione si dhe zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Shpërndaje :